Ja cilat hyrje rrugore të Prishtinës do të bllokohen nesër

E publikuar: 28/05/2025 20:36
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka njoftuar se ditën e nesërme do të mbahet një protestë e organizuar nga bizneset e prekura nga vendimi i fundit i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), protestë kjo që do të përfshijë bllokimin e hyrjeve kryesore në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë.

Protesta do të nisë në orën 10:00 dhe do të zgjasë deri në orën 12:00, me pjesëmarrjen e automjeteve të kompanive që pretendojnë të jenë dëmtuar nga vendimi i ZRRE-së. Sipas OEK-ut, qëllimi i kësaj proteste është të shfaqet qartë ndikimi negativ që ky vendim ka pasur në sektorin privat dhe të rritet presioni publik për adresimin e kërkesave të bizneseve.

OEK ka bërë të ditur se bllokimi do të përfshijë këto lokacione:

  • Hyrja nga Veterniku dhe Gjilani – do të bllokohet segmenti nga Albi Mall deri poshtë Veternikut, duke ndikuar në hyrjet nga Ferizaj, Gjilan dhe Aeroporti.
  • Hyrja nga Fushë Kosova dhe Mitrovica – bllokimi do të bëhet te rrethi i Madh në Lakrishtë (afër Dukagjini Tower), duke ndalur qarkullimin nga këto drejtime.
  • Hyrja nga Podujeva – do të bllokohet udhëkryqi te ish-Humanisti (te banka Raiffeisen), që ndikon edhe në lëvizjet nga Dragodani në drejtim të Shkabaj dhe Orlloviq.