
Ish-komandanti UÇK-së në Zonën Operative të Karadakut, Ahmet Isufi, ka përkujtuar sot heroin e luftës, Basri Canolli – i njohur si Shpendi i UÇK-së, duke e vlerësuar si një ndër figurat më të shquara të rezistencës në rajonet e Karadakut, Gollakut dhe Llapit.
Në një postim në profilin e tij në facebook, Isufi e cilësoi Shpendin si “trimin e lirisë” dhe “komandon e vërtetë” të UÇK-së, i cili kontribuoi me përkushtim të jashtëzakonshëm në logjistikë, mobilizim dhe në vijat e para të frontit të luftës.
“Shpendi ishte nyja lidhëse e Karadakut, Gollakut e Llapit, luftëtari i pashembullt i cili me vetëdije të plotë dhe me shpirtin luftarak, u vu në shërbim të lirisë së atdheut,” shkroi Isufi.
Ai shtoi se kontributi i Basri Canollit në rrugën e lirisë ishte vendimtar dhe përkujtimi i tij mbetet një nder për të gjithë ata që besojnë në vlerat e lirisë dhe të sakrificës.
Në fund të mesazhit të tij, Isufi shprehu mirënjohje të thellë duke përfunduar me fjalët: “Lavdi Heroit të Kombit, Basri Canolli – Shpendi!”
Basri Canolli, i njohur ndryshe si Shpendi, mbetet një ndër emrat më të respektuar të UÇK-së, i përjetësuar në kujtesën kolektive të popullit për rolin e tij në luftën për çlirimin e Kosovës.
Postimi i plotë:
Shpendi i UÇK-së
Sot kujtuam trimin e lirisë, ushtarin e logjistikës, të mobilizimit, të aksionit e të frontit, komandon e vërtetë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Shpendi, ishte nyja lidhëse e Karadakut, Gollakut e Llapit, luftëtari i pashembullt i cili me vetëdije të plotë dhe me shpirtin luftarak, u vu në shërbim të lirisë së atdheut.
Lavdi Heroit të Kombit, Basri Canolli-Shpendi!