Zhvillimi ekonomik i Komunës së Gjilanit është larg pritshmërisë. Sipas të dhënave zyrtare të 2002-s, Gjilani kishte gjithsej 3 mijë e 84 biznese të regjistruara, ndërsa është dashur të kalonin 15 vjet të regjistrohen vetëm 586 biznese sosh, shkruan sot Koha Ditore.
Më 2017 sipas të dhënave zyrtare komunale në këtë komunë operojnë 3 mijë e 670 biznese, ku brenda këtij numri janë bizneset tregtare dhe shërbyese, ndërsa numri i bizneseve prodhuese është i vogël. Ndërsa numri i punëtorëve të punësuar në sektorin privat llogaritet se është 5 mijë e 177 sish.
Bizneset lokale në prononcimet e mëhershme për gazetën kishin thënë se faktorët, të cilët janë duke ngecur në zhvillimin e bizneseve të tyre janë çmimi i shtrenjtë i energjisë elektrike, ekonomia informate, e cila është duke dëmtuar konkurrencën, mungesa e kuadrit profesional si edhe mungesa e subvencioneve për prodhuesit vendorë, që do të duhej t’ ishte dhe politikë e Qeverisë së Kosovës. Ndërsa qeverisja lokale e Gjilanit akuzon drejtpërdrejt nivelin qendror se ka dështuar në krijimin e klimës së investimeve, e cila është duke ndikuar edhe te Komuna që ata e drejtojnë.