Ish-kreu i OShP-së: Në Kosovë asnjëherë nuk ka pasur luftim të mirëfilltë të korrupsionit

E publikuar: 09/12/2021 19:25
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ish-kryetari i Organit Shqyrtues të Prokurimit, Hysni Hoxha, thotë se në Kosovë nuk është bërë asnjëherë luftë e mirëfilltë kundër korrupsionit.

Ai deklaron se punët në vend janë lëmsh për shkak të interesave dhe se nuk ka ekspert të mirëfilltë në institucionet e ndjekjes që i dinë procedurat e prokurimit.

“Është koha që Kosova të ketë një Gjykatë Administrative, ku kanë nevojë shumë institucione administrative siç është Organi Mbikëqyrës i Pavarur, siç është OSHP-ja, siç janë institucionet e agjencitë e tjera. Tash për të pasur siguri më të madhe, sepse çdo kund kredibilitetin më të madh, në secilin shtet, e kanë institucionet e drejtësisë dhe mirë është që edhe ky institucion të futet nën ombrellën e institucioneve të drejtësisë,” tha Hoxha i ftuar në emisionin Info Magazinë të Klan Kosovës.

Tutje ish-udhëheqësi i OSHP-së deklaroi se aktakuza ndaj tij është ngritur sepse nuk ua ka bërë qejfin operatorëve ekonomikë. Sipas tij, ata kanë dashur me njerëz të fuqishëm të arrijnë te diçka që ka qenë e paligjshme.

“Kam qenë tepër i sigurtë që jo vetëm që nuk kisha shkelë asnjë procedurë të prokurimit, por isha përndjekë vetëm e vetëm pse mbroja, qoftë autoritetet kontraktuese qoftë operatorët ekonomikë, të cilët kishin të drejtë dhe të cilat jua garantonte ligji i prokurimit publik. Këtu në Kosovë, është shumë problem të mbrosh të drejtën e të mbrosh ligjshmërinë, sepse ka shumë interesa, ka shumë grupe të interesave të cilët janë të fuqishëm dhe janë kudo të ulur në të gjitha institucionet, që janë më relevante të Kosovës, siç janë institucionet e ndjekjes, prokuroria gjyqësori e të gjitha.

”Hoxha tha se jo vetëm institucionet e prokurimit publik janë fajtore kujdestare të përditshme për korrupsion në Kosovë por, sipas tij, janë edhe shume faktorë dhe institucione të tjera.