IPK rekomandon suspendimin e një rreshteri policor, dyshohet se përdori forcë ndaj një qytetari

E publikuar: 19/04/2024 20:44
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e një rreshteri policor, pas një ankese nga një qytetar sot, në Prizren.

Sipas tij, zyrtari policor ka përdorur forcë.

“Sot paradite në zyrën rajonale të IPK-së në Prizren një ankesë nga një qytetar i cili ankohej për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës nga një zyrtar policor. Ngjarja është raportuar të ketë ndodhur dje në orët e mbrëmjes kur policia kishin ndaluar fillimisht qytetarin/ankuesin për një kundërvajtje në qytetin e Prizrenit. Pas shqiptimit të dy tiketave për kundërvajtje qytetari ishte shoqëruar në stacionin policor në Prizren. Pas konsultimeve fillestare me prokurorin kompetent, hetuesit e IPK-së janë angazhuar duke ndërmarrë veprime konkrete hetimore duke dalë në vendin e ngjarjes si dhe kanë pranuar edhe raportet mjekësore lidhur me natyrën e lëndimeve trupore të ankuesit.” – thuhet në njoftim.

IPK njoftoi se do të ndërmarrin edhe veprime tjera hetimore.

“Përderisa hetimi është duke vazhduar ndaj rreshterit policor (rreshter i Njësisë së Reagimit të Shpejtë në Prizren), IPK bazuar në autorizimet ligjore i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e tij me dyshimin për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës. Hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore lidhur me këtë rast për të sqaruar rrethanat e këtij incidenti.”