Hykmete Bajrami: Kundër hajnave edhe me Guardia di Finanzia

E publikuar: 15/11/2020 21:22
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministrja e Financave Hykmete Bajrami ka deklaruar sot se ‘lufta kundër hajnave’ do të vazhdojë me të gjitha kapacitetet e mundshme vendore e ndërkombëtare dhe pavarësisht lidhjeve të atyre që kryejnë krime, ata do të ndiqen deri në fund.

Ajo në një postim në Facebook ka përkujtuar se më 6 tetor, Guardia di Finanza bashkë me ambasadorin italian në Prishtinë Nicola Orlando kanë vizituar Ministrinë e Financave, ku kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të ATK-së, Doganave dhe Njësisë së Inteligjencës Financiare.

Në takim është diskutuar për një projekt mes Gurdia di Finanza, ATK-së, Doganës dhe NJIF, që do të financohej nga Bashkimi Evropian, e që për qëllim do të kishte bashkëpunimin në luftimin e evazionit, informalitetit, kontrabandës, pastrimit të parave dhe aktiviteteve tjera të kundërligjshme që dëmtojnë financat publike.

“Pas vjedhjes në Thesar, në cilësinë e ministres së Financave i kam dërguar letër ambasadorit italian, që në fusha të bashkëpunimit të përfshihet edhe Thesari, me theks auditimi në Thesar, por edhe ngritja e nivelit të sigurisë dhe integritetit të sistemit. Njëherësh kam kërkuar nga ambasadori i BE-së Tomas Szunyog edhe mbështetjen financiare nga BE që Guardia di Finanza të auditojë Thesarin”, shkruan Bajrami.