Hoti: PAN po tregon mungesë të maturisë politike

E publikuar: 16/08/2017 11:38
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti ka thënë në tryezën e organizuar nga koalicioni LAA se zgjedhjet e parakohshme kanë prodhuar një rezultat dhe se me një vonesë presidenti ka thirrur seancën konstituive.

“Seanca ka vazhduar pas dhënies së betimit me pikat e rendit të ditës. Ne po respektojmë te drejtën e PAN-it për propozimin për kryeparlamentar. Mua më vie mirë që edhe Vetëvendosje po merr pjesë në tryezë për të gjetur qasje për të zhbllokuar situatën. Sjellja e PAN tregon mungesë të maturisë politike karshi qytetarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë”, ka thënë Hoti.

Ai ka përshëndetur deklaratën e ambasadorëve të QUINT-it që thanë se institucionet duhet themeluar sa më parë, raporton Indeksonline.

“Qëllimi i tryezës është të gjejmë rrugën e duhur për dy cështje, që në afat të shkurtër të shohim si të zhbllokojmë procesin e themelimit të institucioneve si dhe nga kjo tryezë të diskutohet për ndryshimet kushtetuese që duhet të ndodhin që mos të kemi më këso situate”, ka thënë tutje Hoti. /Indeksonline/