Hoti: Do ta rrisim pakon e rimëkëmbjes ekonomike

E publikuar: 30/11/2020 11:21
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Kosovës, Avdullah ka deklaruar se beson që fondin e rimëkëmbjes ekonomike për vitin 2021, do ta rrisin edhe më shumë gjatë dy leximeve në Kuvend, por gjithashtu janë duke diskutuar edhe me donatorë për t’i bërë bashkë të gjitha fondet në funksion të rimëkëmbjen ekonomike.

Hoti këto komente i bëri gjatë ceremonisë së nënshkrimit të kontratave për skemat e granteve, programi i rimëkëmbjes ekonomike, e cila u organizua nga Ministria e Zhvillimit Rajonal.

Ai tha se me këtë skenë janë rreth 500 punëtorë që do të përfitojnë vende pune.

“Unë shpresoj që kjo masë sado simbolike që mund të jetë, është një lehtësim në veçanti për bizneset e vogla dhe të mesme dhe është me interes që janë marrë specifikat e regjioneve të ndryshme në aspektin e zhvillimit rajonal. Ne kemi edhe masa tjera siç e dini të mbështetjeve të bizneseve…Kjo masë nuk është e fundit, ne jemi të detyruar që edhe në vitin e ardhshëm të parashohim një fond për rimëkëmbjen ekonomike të cilin e kemi bërë pjesë të buxhetit në vlerë prej 182 milionë, po i cili do të rritet, besoj që gjatë dy leximeve në Kuvend do ta rrisim më tutje dhe gjithashtu jemi duke diskutuar edhe me donatorë, partnerë tanë zhvillimor për t’i bërë bashkë të gjitha fondet në funksion të rimëkëmbjen ekonomike. Krejt fokusi jonë gjatë kësaj periudhe ka qenë që ne t’iu ndihmojmë familjeve, t’iu ndihmojmë bizneseve që në një farë mënyre të qëndrojnë në treg“, tha ai.

Ministri i Zhvillimit Rajonal, Enis Kërvan ka uruar të gjithë përfituesit e skemës së grantëve, skemë kjo e cila kap vlerën 8 milionë euro.

“Aplikusit besojmë që i kanë pasur në dispozicion të gjitha udhëzimet lidhur me kriteret dhe procesin e aplikimit. Nga 667 aplikantë që kanë qenë gjithsejtë, sot në këtë ceremoni po nënshkruajmë kontratat me 156 prej tyre si përfitues nga pesë rajone të zhvillimit, lot 1 në total 59 përfitues dhe lot 2, 97 biznese ose përfitues“, tha ai.

Sipas tij, kjo skemë synon të punësojë rreth 500 punëtorë të rinj, do të kontribuojë në avancimin e proceseve të bizneseve dhe rritjen e eksportit.