Haziri një mal me kritika ndaj Kurtit: Qeveria në qiell e populli në buqillë

E publikuar: 21/05/2023 14:52
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Lutfi Haziri

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka ngritur disa pikëpyetje për të cilat thotë se nuk po merr përgjigje nga kryeministri Albin Kurti, duke filluar nga dialogu, situata në veri e deri tek projektet kapitale të komunave.

Sipas tij, shefi i qeverisë nuk po tregon se kur betohen kryetarët e rinj të komunave veriore, kur kthehen zyrtarët bojkotues të institucioneve në veri, kur e zbaton draftimin e Asociacionit për vetëmenaxhimin e Komunave me shumicë serbe apo “kur e zbaton vendimin me kërkesën e tij për hapjen e urës për veriun e Mitrovicës”.

Ai shtoi gjithashtu se Kurti nuk tregon planin për kthimin e refugjatëve në atdheun e tyre për Mitrovicë dhe komunat në veri, “nuk tregon kur ia kthen buxhetin vetanak komunave, nuk tregon kur përfundon autostrada për Gjilan, Mitrovicë e Pejë, si dhe 780 milionë euro të investimeve kapitale kur përfundojnë”.

“Kurti nuk tregon kur ta merr shpresën se i duhet me vazhdu shitjen e mjegullës politike për paaftësinë e ekipit dhe bedelëve të tij”, shkroi ai në Facebook.

“Veç Kurti e di se cili prokuror, gjykatës, polic, mjek, anëtar bordi, kryeshef agjencie e drejtues tjerë institucionalë i pëlqen atij, kryekuvendarit dhe Presidentes”, shton Haziri.

“Për të tjerët s’ka gajle. Populli thotë: Qeveria në qiell e populli në buqillë!”, përfundon ai.