Në mbledhjen e bordit të drejtorëve, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë se Gjilani në bashkëpunim me donatorët tashmë ka nisur vazhdimin e ndërtimit të bibliotekës së qytetit, sikurse edhe ndërtimin e shkollës së arteve dhe projektet në pastrimin e lumenjve.
Duke shprehur falënderim të madh për donatorët, të cilët i janë kthyer Gjilanit me investime, kreu i Gjilanit theksoi se shumë shpejt pritet të nisin edhe projektet e mëdha, siç është ndërtimi i shtratit të lumit “Stanishorka”, “Mirusha”, ndërtimi i rrjetit kanalizimeve fekale dhe atmosferike, sikurse edhe hapja dhe ndërtimi i rrugëve të reja në qytet e fshatra, hyrje-daljet etj.
Në këtë takim, u vlerësuan lartë edhe organizimet e aktiviteteve në shënim të 8-vjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës, në të cilat pati pjesëmarrje masive të qytetarëve.
Ndërkaq, u vlerësua, poashtu, edhe ndarja e dekoratave në këtë 8-vjetor nga ana e presidentes Jahjaga me rekomadim të Shoqatës së Historianëve të Kosovës dhe me mbështetje të kryetarit Lutfi Haziri për figurat e ndritura të Gjilanit: Zija Shemsiu, Xhavit Ahmeti, Jusuf Bahtjari dhe Halit Hasani.
Kryetari Haziri ka falënderuar presidenten Jahjaga për dekoratat e sivjetme dhe të vitit të kaluar në 70-vjetorin e masakrës së Gjilanit për Hetem Hazirin, Ahmet Hazirin, Ymer Myqibabën, Bejtë Ali Pirevën dhe Shefki Desivojcën.
Përndryshe, në vitin e kaluar, pikërisht në 70-vjetorin e masakrës së Gjilanit, presidenti shqiptar, Bujar Nishani, pati dekoruar me medalje Halim Oranën, Mulla Idriz Gjilanin, Esat Berishën, Hetem Hazirin,Ymer Myqybabën, dhe Rifat Baftjarin.
Haziri: Gjilani me donatorët nis projektet e mëdha
NGA KATEGORIA