Haradinaj i zotohet diasporës: Kosovën do e bëj si ju, evropiane!

E publikuar: 06/06/2017 10:39
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kandidati për kryeministër, nga koalicioni PDK-AAK-Nisma, Ramush Haradinaj u është drejtuar sot bashkatdhetarëve në diasporë.

Ai fillimisht i ka falënderuar ata për kontributin e dhënë për Kosovën përgjatë viteve, duke shtuar se është pikërisht atdheu ai që nuk ka bërë më të mirën për ta.

Haradinaj ka premtuar se do ta bëjë Kosovën sikurse atdhetarët në diasporë, të suksesshme dhe evropiane, përcjellë Indeksonline.

Këto komente Haradinaj i ka bërë në një postim në llogarinë e tij në Facebook.

Ky është shkrimi i plotë:

Diasporë së bashku do ta ndryshojmë Kosovën!

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës që jetoni kudo në botë!

Të dashur qytetarë që tashmë jeni gjermanë, zviceranë, austriakë, skandinavë, amerikanë, australianë por kurrë s’e keni harruar vendlindjen, familjen, miqtë e të afërmit.

Është e pamundshme të tregohen krejt sakrificat tuaja për të arritur aty ku sot jeni. Kam qenë vet pjesë e këtyre përpjekjeve, edhe në vitet 90, edhe në vitet e qëndrimit në Hagë edhe në muajt e ndalimit në Francë.

Dhe në krejt këto faza sa të vështira aq edhe të lavdishme të historisë sonë ishit dhe jeni JU, Diasporë e nderuar, ata që kurrë s’e harruat atdheun.

Atdheu, Qeveritë e kaluara, s’ju kanë trajtuar si duhet. Kjo qasje do të ndryshojë menjëherë.

Diaspora shqiptare e Kosovës është vlera e kombit. Është arritja e kombit. Është krenaria e kombit.

Gjatë qëndrimit tim në Francë kam parë dhe përjetuar shqiptarët europianë, shqiptarët amerikanë, shqiptarët kanadezë, me qindra e mija, shqiptarë të cilët janë kudo me rrëfime suksesi e punë që lëjnë mbresë.

Dhe të gjithë ju keni patur vetëm një brengë: si ta bëjmë edhe Kosovën, atdheun tonë, si ju! Të suksesshme dhe europiane!

Ua kam thënë sa herë: Do ta bëjmë Kosovën si ju! Së bashku!

Për këtë Zotohem.

/