Haradinaj kundër Ramës: Si filluan përplasjet “vëllazërore” të dy kryeministrave

E publikuar: 20/02/2018 15:58
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Tradicionalisht, Ramush Haradinaj aleat të tij në Tiranë e ka pasur Sali Berishën. Kjo për shkak të popullaritetit në Kosovë të këtij të fundit, e mbase edhe si kundërreagim ndaj raporteve të Hashim Thaçit me socialistët dhe Edi Ramën. Edhe pse këto aleanca tashmë duken të tejkaluara, dhe Rama me Haradinajn kanë krijuar raportet e tyre si shefa të qeverive, ata kohë pas kohe edhe po përplasen ndërmjet vete. Gjuhës së drejtpërdrejtë të Ramës, Haradinaj i është përgjigjur direkt duke i thënë “mos na shit mend”
Kryeministri Edi Rama nuk kursen këshillat e tij për liderët politikë. Natyrisht as qortimet kur e sheh se nuk po shkojnë mirë. Ai tashmë i ka dhënë vetes detyrën e udhëheqësit gjithëkombëtar. Fillimisht i kishte krahasuar liderët e Kosovës me lopët, e pastaj se kishin shpikur temën e Demarkacionit. Për krejt këto rrallëherë dikush nga liderët kosovarë i është përgjigjur Ramës. Ky i fundit nga ana tjetër ka zhvilluar imagjinatën e tij. Ai propozoi president mbarëkombëtar në Kuvendin e Kosovës në Ditën e Pavarësisë.

Kur Edi Rama erdhi për vizitë në Kosovë për nder të 10-vjetorit të tij, siç e do tradita e tij, u ndal në studion e Baton Haxhiut, prej ku do të këshillonte, kritikonte, jepte vizionin e tij për Kosovën e politikanët e saj.

Rama komentoi çështjen e Demarkacionit me Malin e Zi, duke thënë se kjo ishte vetëm një “shpikje e opozitës”, duke e goditur tërthorazi Ramush Haradinajn. Nga kjo i mbeti hatri kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili në një postim në Facebook, ia tregoi vendin Ramës.

“Urime pavarësia e Kosovës të gjithë shqiptarëve. Edi Rama nuk ka çfarë të flasë për shpikjet politike në Kosovë! Le të merret me shpikjet e veta brenda Shqipërisë se i dalin boll”, shkroi Haradinaj të premten mbrëma në Facebook.

Por, kryeministri i Kosovës u dha kënaqësinë vetëm pak minuta atyre që entuziazmuan se shefi i Qeverisë më në fund po sillej si kryeministër i vendit.

Edi Rama në profilin e tij publikoi një fotografi me Haradinajn në shtëpinë e këtij të fundit, duke lënë të kuptohej se kjo ishte një lojë dhe e vetmja përplasje mes tyre ishte ajo e gotave.

Por, nuk përfundoi gjithçka këtu.

Gjatë qëndrimit në Kosovë, Rama vazhdoi të bëjë deklarata provokuese. Doli në Kuvend në seancën solemne për nder të 10-vjetorit të shtetësisë së Kosovës dhe tha se dy shteteve i duhej një president mbarëkombëtar. Kjo nuk u prit mirë nga një pjesë e skenës politike në Kosovë dhe as nga faktori ndërkombëtar.

E një reagim e pati edhe vetë Haradinaj.

Me t’u kryer festa, kryeministri Haradinaj, derisa po qëndronte në Mitrovicë, u pyet sërish nga gazetarët për deklaratat e Edi Ramës e të tijat.

“I kam thënë Edi Ramës se mund t’i shesim mend njëri-tjetrit sa të duam. Edi Rama e ndihmon Kosovën vetëm duke e zhvilluar Shqipërinë”, tha Haradinaj.

Haradinaj tha se nuk ka qëllim për të hyrë në debate të panevojshme, “sepse jemi vëllezër”. Por, ai tha se nuk mund të vijnë e të japin leksione në Kosovë dhe secili duhet të kryejë punët e veta.

Por, ajo që ndodhi në studion e Baton Haxhiut, nuk ishte i vetmi mesazh që Rama së fundmi i kishte dërguar publikisht liderëve kosovarë.

Në fillim të këtij muaji, duke folur për iniciativën për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, Rama kishte thënë për Thaçin, Veselin e Haradinajn se “krijimi i një problemi të tillë është sikurse lopa kur e mbush kovën e vet, pastaj ia fut shkelm dhe nuk dihet më se çka vjen mbrapa”.

Askush nga liderët nuk reagoi e as vetë kryeministri. Por këshilltarët e tij tregonin se sa shumë iu kishte mbetur hatri.

Këshilltari i kryeministrit, Halil Matoshi, ia përmendi Ramës në Shqipëri si kundërpërgjigje të atij “ofendimi”.

“S’bân me e derdhë tamlin por as me mbjellë kanabis”, kishte shkruar Matoshi në Facebook. /Express/