Haradinaj jep sinjale pozitive për demarkacionin, flet për marrëveshjen me Listën Srpska

E publikuar: 09/03/2018 19:56
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Qeveria e Kosovës është duke vazhduar bisedimet me deputetët e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Listës Serbe në përpjeke për ti bindur ata që të japin votën e tyre pro ratifikimit të demarkacionit, kështu ka deklaruar Kryeministri i vendit Ramush Haradinaj, në një prononcim për Indeksonline.

I pyetur se cilat janë kushtet e deputetëve të Listës Serbe për të votuar demarkacionin, Haradinaj ka thënë se nuk kanë vënë kushte të caktuara që mund të theksohen, por bisedimet janë duke vazhduar edhe më tej.

“Po jemi në bisedime me Listën Serbe, kemi filluar konsultat me partneret e koalicionit. Nuk kanë vënë kushte të caktuara ne vazhdojmë të jemi në bisedime me ta edhe më tutje, por nuk ka ende asgjë definitive”, ka thënë Haradinaj.

Ndryshe, për miratimin e demarkacionit nevojiten 2/3 e votave, ose 80 vota nga 120 deputetë sa ka Kuvendi i Kosovës.

Partitë e koalicionit (PDK,AAK dhe Nisma + minoritetet joserbe) si dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë konfirmuar se do t’i thonë “PO” votës së demarkacionit.

Derisa ambasadori Greg Delawie si dhe shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova vazhdimisht janë duke bërë thirrje për miratimin e sa më shpejt të kësaj çështje. /Indeksonline/