Deputeti Daut Haradinaj thotë se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në Deçan me vëmendje ka përcjellë politiken qeveritare mbi planifikimin dhe ndarjen buxhetore për investimet kapitale dhe prioritete e Qeverisë së Kosovës.
E AAK në Deçan, ka thënë ai, është thellësisht e shqetësuar me diskriminimin e jashtëzakonshëm që po i bëhet komunave të Dukagjinit nga mos përkrahja e Qeverisë së Kosovës.
“Premtimet e panumërta të qeverive të Kosovës dhe injorimi i një territori të tërë është për të ardhur keq. Kjo dëshmon se kjo qeveri është qeveri e regjioneve, e jo qeveri e Kosovës. Lënia anash e tërë rajonit të Dukagjinit tani e sa vite është vetëm një dëshmi se këta qeveritarë nuk udhëheqin Kosovën, nuk e donë Republikën e bashkuar, përkundrazi me politiken e planifikimit dhe ndarjes buxhetore po e ndëshkojnë hapur një zonë të banuar me mbi 600 mijë shqiptarë”, ka shkruar Haradinaj, që drejton degën e AAK-së në Deçan.
Andaj me të drejtë mundë të pyesim: A është edhe Dukagjini Kosovë? , ka thënë ai. “Apo vetëm kur i merren territore e i jepen të tjerëve?”, ka shtuar më pas.
“Apelojmë Qeverinë e Kosovës që përfundimisht të heqin dorë nga politikat e gabuara dhe shumë të ulëta të diskriminimit në përkrahje zhvillimore të rajonit të Dukagjinit. Qytetarët e kësaj zone kanë të drejtë sikurse gjithë qytetarët dhe zonat tjera të Kosovës, si tatimpagues dhe kontribuues në buxhetin shtetëror, këtë kontribut t’i kthehen në investime kapitale dhe projekte zhvillimore, përndryshe kjo që po ndodh tani, është e pa drejtë, dhe si e tillë dëshmon qartë se kjo qeveri me logjika primitive i ka ditët e numëruara”, ka thënë ai.