Gjuriq: Vetëm Lista Serbe mund ta pengojë formimin e ushtrisë

E publikuar: 22/05/2017 09:18
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe drejtori i Zyrës për Kosovën, Marko Gjuriq, kanë takuar të dielën në Beograd kandidatët për deputetë të Listës Serbe, me të cilët kanë biseduar për zgjedhjet e 11 qershorit. Pas takimit Gjuriq ka thënë se vetëm Lista Serbe mund ta pengojë formimin e ushtrisë së Kosovës.

Beogradi ua ka bërë të ditur serbëve të Kosovës se për të ekziston vetëm Lista Serbe dhe i ka ftuar ata që të votojnë për kandidatët për deputetë të kësaj liste, më 11 qershor, kur mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë.

Se Serbia mbështet vetëm Listën Serbe ka treguar edhe vetë kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili të dielën ka takuar kandidatët për deputetë të kësaj liste, me të cilët ka biseduar për zgjedhjet e 11 qershorit.

Vuçiq ka porositur serbët që votat e tyre të mos ndahen dhe që ata të votojnë për partinë e Sllavko Simiqit. Për rrjedhën e takimit ka folur për mediet në Beograd Marko Gjuriq, i cili ka thënë se vetëm Lista Serbe mund të garantojë dhe të luftojë që lidhja në mes të Beogradit dhe institucioneve të Prishtinës të mos këputet.

Ai gjithashtu ka siguruar se vetëm Lista Serbe mund ta pengojë formimin e ushtrisë së Kosovës. Sipas Gjuriqit, aktualisht Lista Serbe udhëheq me 10 komuna në Kosovë.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka thënë gjithashtu se vetëm Lista Serbe i përfaqëson interesat e serbëve të Kosovës, ndërsa partitë tjera, siç ka thënë ai, “të vogla të serbëve financohen direkt nga Prishtina”.

“Liderë shqiptarë po përhiqen t’i blejnë disa përfaqësues të serbëve. Këtë e bëjnë në mënyrë që të marrin mbështetje për formimin e ushtrisë së Kosovës dhe për ta ndryshuar Kushtetutën me qëllim që ta zvogëlojnë korrupsion e të drejtave të serbëve që kanë. Qeveria e Serbisë vazhdon t’i ndihmojë njerëzit në Kosovë në kontinuitet, këtë e ka dëshmuar sot edhe kryeministri Vuçiq”, ka thënë Gjuriq, i cili ka sqaruar se në takimin me kandidatët për deputetët të Listës Serbe kanë marrë pjesë, pos tij, edhe ministri për Punë dhe Çështje Sociale, Aleksandër Vulin, ministri i Minierave, Aleksandër Antiq, kryetari i Listës Serbe, Sllavko Simiq, Branimir Stojanoviq dhe kandidatë të tjerë të listës.

Por deklaratat e Gjuriqin kanë nervozuar disa nga liderët e subjekteve politike serbe në Kosovë. Oliver Ivanoviq, lider i SDP-së, ka thënë se deklarata e Gjuriqit është e ashpër dhe mund të sjellë konflikte në terren dhe t’i përçajë serbët, ndërkaq kryetari i Partisë së Serbëve të Kosovës, Aleksandër Jabllanoviq, ka thënë se Lista Serbe është tejkaluar dhe se serbët do të votojnë për subjektin e tij politik. Sipas tij Lista Serbe është mision i dështuar sepse për tri vjet nuk ka arritur ta realizojë asnjë detyrë që ka marrë.

“Kundërshtarët tanë më të mëdhenj janë ata që shërbehen me gënjeshtra dhe me shpifje, e ata njerëz janë përbrenda Listës Serbe, të cilët për katër vjet i kanë gënjyer serbët e Kosovës. Ata kanë gënjyer serbët për formimin e ‘Zajednicës’, për formimin e komunave të Prelluzhës e të Plemetinit”, ka thënë Jabllanoviq, i cili ka sqaruar se pjesë e listës së kandidatëve për deputetë janë 15 meshkuj dhe 7 femra, në mesin e të cilëve edhe ish-ministrja e Administrimit të Pushtetit Lokal, Mirjana Jevtiq.

6 parti serbe në zgjedhjet e 11 qershorit

Ndryshe, në zgjedhjet e 11 qershorit në Kosovës do të marrin pjesë 6 subjekte politike serbe, respektivisht 4 parti, një koalicion dhe një iniciativë qytetare: Lista Serbe në krye me Sllavko Simiqin, Partia Përparimtare e Kosovës që udhëhiqet nga Aleksandër Grujiq nga Fushë Kosova, Partia Demokratike Progresiste e Nenad Rashiqit, Partia Liberale (SLS) e Sllobodan Petroviqit, koalicioni Partia e Serbëve të Kosovës e Aleksandër Jabllanoviqit dhe iniciativa qytetare “Lidhja Patriotike Serbe”. “Zëri” ka mësuar se në zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit nuk do të marrë pjesë SDP-ja e Oliver Ivanoviqit, transmeton zeri.

Është befasi që në listën e kandidatëve të Listës Serbe nuk ndodhet ish-ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Lubomir Mariq, ndërkaq ish-kryetari paralel i Mitrovicës, Kërstimir Pantiq, nuk do të jetë në asnjë listë, ndonëse i ishte premtuar vendi në listën e partisë së Sllobodan Petroviqit, SLS.