Dy mjekë gjinekologë janë arrestuar sot në Gjilan pasi dyshohet se kanë pasur trajtim jo të mirë për pacienten Arbenita Spahiu e cila ka vdekur dy orë pas lindjes.
Për të folur për këtë rast në Kosova Direkt të emisionit Ora e Fundit në Klan Kosova ishte xhaxhai i të ndjerës, Mustafë Selimi.
Selimi ka treguar se pse kanë dyshuar në këtë rast dhe cilat janë kërkesat e familjes së të ndjerës.
“Ne jemi të vetëdijshëm se vdekja është proces që nuk ndalet por në rastin tonë na ka goditur shumë rëndë, rast i cili na ka shtyrë të dyshojmë dhe të kërkojmë nga mjekësia ligjore që të bëjë autopsinë e kufomës”.
“Ne me këtë rast nuk përfitojmë asgjë pasi Arbenita ka shkuar dhe nuk kthehet por dëshirojmë që në të ardhmen këto raste të mos ndodhin më dhe e vetmja gjë që ne kërkojmë është që organet e këtij vendi të rrisin përgjegjësinë në punë”.
Ai ka treguar se mbesa e tij ka pasur një shtatzëni të shëndoshë dhe pa probleme prandaj edhe për familjen ka lindur dyshimi për vdekjen e saj.
“Arbenita ka qenë një vajzë e shëndoshë dhe asnjëherë nuk ka qenë e sëmurë, edhe gjatë shtatzënisë ka pasur kontrolla të vazhduehme nga gjinekologët dhe të gjitha raportet mjekësorë kanë qenë me rregull të kontrolluar dhe deri në atë ditë nuk ka dhënë asnjë simptomë por çfarë ka ndodhur nuk kemi informacione “.
“I vetmi argument është dyshimi, lindja ka qenë pa komplikime derisa pas dy orëve kemi marrë lajmin se Arbenita ka vdekur”.
Ai është shprehur se sot ai dhe familja e të ndjerës kanë dëgjuar për intensifikimin e rastit dhe për këtë janë të kënaqur.
Selimi ka thënë gjithashtu se beson se ky rast do të zbardhet ashtu siç ka besim në drejtësinë.