Partia Demokratike e Kosovës, e cila është opozitë në komunën e Gjilanit, ka shpalosur akuza të ashpra për koalicionin qeverisës në këtë komunë, mes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Asamblisti i Partisë Demokratike të Kosovës në Gjilan, Sahit Abazi, tha për Ora e Fundit në Klan Kosova, se në Komunën e Gjilanit janë 63 biznese pa leje, derisa “pushteti politik dëshiron ndërrim të statutit të komunës së Gjilanit”.
“Janë dy ndryshime jo të mira për komunën e Gjilanit dhe kemi paralajmërua se do të ketë dëme”.
“Shuarja e Drejtorisë së Inspekcionit ka shkaktuar ndërtime të mëdha pa leje. Gjithashtu me shuarjen e Drejtorisë për Rini, Kulturë dhe Sport e bënë gjendjen e vështirë”.
“Njerëzit në Gjilan kanë përshtypje se të ndërtosh ku të duash në qytet s’ka ndonjë problem”, tha Abazi.
Por, nënkryetari i Gjilanit, Rexhep Kadriu, tha se akuzat e opozitës nuk qëndrojnë dhe të gjitha deklarimet kundër tyre janë shpifje.
“Akuzat nuk qëndrojnë”, pohoi Kadriu.
“Sa i përket akuzave që më drejtohen personalisht mua dhe kompanisë sime, të gjithë e dinë së unë me ndërtimtari merrem që prej 1996-ës”.
“Por, aktiviteti im në biznes ka rënë, sepse i jam përkushtuar vetëm qytetit, madje as pagën e komunës nuk e marr”.
“Planet rregulluese që i ka bërë PDK-ja mandatin e kaluar nuk ka arritur t’i implementoj”.
Madje Kadriu kërkoi që këto akuza të pa baza të ndiqen penalisht.
“Thërras prokurorinë publikisht që të merren me rasti sepse këtu kemi të bëjmë më shpifje”.