Një valë e re e shpërthimit të pandemisë COVID-19 në Kosovë i ka rënduar kapacitetet e një sistemi veçse të brishtë shëndetësor. Ekspertë shëndetësorë i kanë bërë thirrje qeverisë për fokus më të madh në pandeminë dhe masa të vazhdueshme përkitazi me situatën.
Klinika Infektive në Qendrën Klinike Universitare që deri në muajin e fundit kanë deklaruar se po e përballojnë mirë situatën me coronavirus, tani nuk kanë më vend për shtrimin e pacientëve të rinj. Numri i pacientëve me COVID-19 në këtë Klinikë po sillet rreth 100.
Rritja drastike e numrit të pacientëve është vërejtur nga fillimi i muajit qershor që korrespondon me kohën e lirimit të masave kufizuese që ishin vendosur nga paraqitja e rasteve të para me virus në Kosovë, në fillim të marsit.
Infektologu Valbon Krasniqi, që punon në Klinikën që ka qenë qendra e luftës me virusin në këto muaj, ka treguar për KALLXO.com se kapacitetet u janë ulur ndjeshëm dhe puna u është vështirësuar.
Përpos kapacitetit të shtretërve dhe mjeteve mjekësore për asistimin e frymëmarrjes për pacientët në gjendje kritike. sipas Krasniqit problem është edhe numrit i ulët të stafit shëndetësor. Duke u munduar ta plotësojnë këtë mungesë, Sindikata e Infermierëve ka bërë thirrje për angazhim vullnetar të stafit mjekësor për t’i dalë në ndihmë kësaj klinike.
“Gjendje në Klinikën Infektive është rënduar mjaft shumë, sidomos këto dy javët e fundit me rritjen e numrit të madh të rasteve të konfirmuara me COVID-19 është rritur detyrimisht edhe numri i pacientëve që po kërkojnë spitalizim në klinikën tonë, tashmë kapacitetet tona janë të stërmbushura me pacientë mbi 100 pacientë të shtrirë të konfirmuar me COVID” , tha Krasniqi.
Në mënyrë që të mund të përballohet gjithë kjo situatë në pritje të pacientëve nga dje është edhe reparti i Mjekësisë Sportive, që do të shërbejë për pacientët në gjendje më të rënduar.
Sipas Krasniqit, për momentin në këtë repart janë duke u trajtuar dy pacientë.
“Ndërsa në Klinikën e Pulmologjisë, janë duke shkuar rastet më të lehta si të dyshimta për COVID-19 “, tha ai./KALLXO/



















