Gërvalla në “Ulpiana”: Nëse duam investime të huaja në rajon, ato duhet së pari të adresohen te diaspora

E publikuar: 17/11/2023 12:15
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla gjatë Forumit Ndërkombëtar “Ulpiana”, ka folur për “migrimin përmes angazhimit të diasporës”.

Gërvalla tha se nëse shtetet e Ballkanit duan investime të huaja në rajon, së pari ato duhet të adresohen përmes diasporës, pasi tha se te ta do të gjenden partnerë ndërkombëtarë shumë seriozë.

“Kjo është mënyra më e lehtë pasi diasporës s’kemi nevojë t’ua shpjegojmë se si funksionojnë gjërat në Kosovë, por thjesht duhet ta ndërtojmë besimin dhe kjo është ajo pjesa ku ndërhyn qeveria. Dhe, qeveria është aty për të ndërtuar besimin për të gjithë, për të demonstruar se nuk jemi vetëm duke folur për sundimin e ligjit, por që po punojmë për sundimin e ligjit, që nuk jemi vetëm duke folur për investime të huaja, por të sigurohemi që të ketë siguri si për investitorët ashtu edhe për investimet dhe çështja është se a e trajtojnë qeveritë diasporën si objekt apo ka impati dhe ide në mes atyre që vendosin se si të merren me diasporën si pjesë të shtetit dhe si subjekt e jo si objekt”, tha Gërvalla.

Më tej, Gërvalla foli edhe për gjuhën që në Kosovë përdoret jo rrallë herë nga persona që dalin në televizion ndaj diasporës.

“Në çdo mbrëmje keni disa njerëz që dalin para kamerës dhe i quajnë me emra të pahijshëm pjesëtarët e diasporës. Ky është realitetit. Pra, duhet të luftohet për një pranim çdo ditë. Mu për këtë, qeveritë duhet të jenë shumë të thjeshta në këtë drejtim, duhet të luftohen mekanizmat ku ka diskriminim”.

“Nuk duhet të ketë diskriminim, por duhet të ketë kritere të rrepta për angazhimin e diasporës në mënyrë që njerëzit të ndjehen rehat me këtë. Përndryshe do të ketë antagonizma për ata që vijnë dhe ata që duhet t’i pranojnë”, tha ajo.