Gjatë muajit të ardhshëm Gjilani do ta ketë projektin në detaj të autostradës, i cili do të debatohet me qytetarët dhe mandej qeveria do të vendosë për opsionet dhe dinamikën e ndërtimit.
Lutfi Haziri, kryetar i Gjilanit, ka thënë se kjo komunë po e kompleton infrastrukturën rrugore dhe se tashti në pjesën urbane ka filluar ndërtimi i disa prej rrugëve që janë në interes të infrastrukturës komunale.
Sipas tij, është bërë publike nga qeveria dhe BERZH-i për ndërtimin e rrugës Gjilan – Ferizaj, e që është korridori i dytë që hap Gjilanin me mundësi tjetër, ndërkaq në maj tha se pritet të shpallet rruga Gjilan – Prishtinë.
Haziri thekson se prej vitit 2009, Gjilani ka mbi 17 projekte të parealizuara, një pjesë e të cilëve tha se është në hetime, e që kërkojnë një kosto buxhetore prej 600 mijë eurosh shtesë.
“Ne jemi në fund të realizimit të programit me Qeverinë e Austrisë për investimet në ndërtim të rrjetit të kanalizimeve, ndërtimin e shtratit të lumit ‘Stanishorka’ dhe një pjesë të lumit ‘Mirusha’, ku për këtë të fundit, në këtë vit do ta rrisim dinamikën e punimeve.
Gjilani është konfirmuar si njëri nga fituesit e programit, i cili do të jetë 3-vjeçar në implementim. Projekti përfshin ndërtimin e rrjetit të ujërave të zeza në qytet dhe fshatra”, tha Haziri, që ka paralajmëruar edhe ndërtimin e disa rrugëve lokale, shkruan “Zëri”