
Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se është detyrë kushtetuese e Lëvizjes Vetëvendosje që të sigurojë konsensus brenda Kuvendit në mënyrë që të kalojë kandidati i tyre për kryetar të Kuvendit.
“E drejta kushtetuese i ka lindur Vetëvendosjes të propozojë kryetarin e Kuvendit sipas rezultatit të zgjedhjeve, prandaj lind edhe detyra kushtetuese që të garantojë një shumicë për votimin e kandidatit ose kandidates për kryetar të kuvendit. Në këtë rast, VV e ka për detyrë kushtetuese të gjejë edhe konsensusin brenda Kuvendit në mënyrë të kandidati të kalojë”, tha ai.
Sa i përket propozimit të LDK-së për qeveri tranzicionale, Gashi tha se ky është qëndrim zyrtar i partisë të cilës i takon ai.
“Është qëndrim zyrtar i LDK-së si zgjidhje opsionale për kalimin e krizës, një qeveri me një mandat dhe afat të caktuar për të krijuar një situatë më të relaksuar politike deri në zgjedhjet e ardhshme”, tha Gashi.