Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka thënë për Gazetën Express se askush nga kjo parti nuk do t’i përgjigjet ftesës së Albin Kurtit për takim konsultativ.
Kurti ka ftuar kreun e LDK-së Lumir Abdixhiku, dhe atë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, për shkak të bllokimit të Kuvendit të Kosovës, pasi Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka shumicën e nevojshme për ta zgjedhur Albulena Haxhiun në krye të Kuvendit.
Bajrami ka thënë se pozita e nënkryetarit të Kuvendit që i takon Lidhjes Demokratike të Kosovës është në bazë të rezultatit zgjedhor, dhe nuk është objekt diskutimi me asnjë parti tjetër.
Ajo ka thënë se nënkryetarët votohen pako nga Kuvendi i Kosovës.
“Po, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku ka pranuar një letër nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje/deputeti Albin Kurti. Megjithatë, as kryetari Abdixhiku dhe askush nga Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do të merr pjesë në këtë takim. Pozita e nënkryetarit të Kuvendit që i takon Lidhjes Demokratike të Kosovës është në bazë të rezultatit zgjedhor, dhe nuk është objekt diskutimi me asnjë parti tjetër. Për me tepër nënkryetarët votohën në pako nga Kuvendi, sipas praktikës së deritanishme. Ndërsa zgjedhja e kryetarit të Kuvendit është çështje e marrëveshjes politike mes partive që synojnë të krijojnë shumicën dhe Lidhja Demokratike e Kosovës tashmë ka e ka bërë të qartë se nuk është e interesuar për një marrëveshje të tillë”, ka thënë Bajrami.

















