Fronti antikorrupsion – cak i Prokurorisë së shtetit ata që e rrënojnë ekonominë

E publikuar: 12/12/2016 14:39
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi, ka pritur sot në takim, Drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, Drejtorin e Administratës Tatimore të Kosovës, Sakip Imerin, Kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Reshat Millaku, si dhe Shefin e Departamentit Special Anti Korrupsion në Policinë e Kosovës, Shemsi Haziri.

Gjatë këtij takimi u bisedua për mundësinë e rritjes së bashkëpunimit, dhe koordinimit sa më të mirë, në mes të Policisë së Kosovës, Administratës Tatimore të Kosovës dhe Prokurorit të Shtetit, me qëllim të ngritjes së efikasitetit të punës së këtyre institucioneve dhe luftimit të korrupsionit, krimeve ekonomike dhe krimeve financiare, njofton Prokuroria e Shtetit.

Kryeprokurori Lumezi, u shpreh se synimi kryesor i Prokurorit të Shtetit, është luftimi i suksesshëm i të gjitha llojeve të krimeve, ku theksoi se prioritetet kryesore i institucionit të cilin ai e drejton, është ndjekja e suksesshme e personave që kryejnë veprat penale dhe që kanë për qëllim rrënimin e bazave të ekonomisë së vendit.

“Luftimi i këtyre llojeve të krimit duhet të jetë sfidë, jo vetëm e Prokurorit të Shtetit, por edhe e të gjitha organeve shtetërore dhe e shoqërisë kosovare. Për këtë qëllim do të bashkëpunohet me të gjitha organet për zbatimin e ligjit e sidomos me Policinë e Kosovës, Administratën Tatimore dhe me institucionet tjera”, është shprehur kryeprokurori Lumezi.

Gjithashtu, Lumezi ka kërkuar nga Millaku dhe Maxhuni, që t’i japin prioritet të gjitha indiceve si dhe pretendimeve të cilat kanë bazë të arsyeshme se është kryer apo është duke u kryer ndonjë vepër penale.

Po ashtu, ai ka kërkuar nga të pranishmit që të harmonizojnë, koordinojnë dhe të ndërmarrin veprime konkrete për prononcimet publike, të cilat janë bërë nga personat zyrtar në emisionet televizive.