“Formacioni politik” i propozuar nga trajneri Bylbyl Sokoli

E publikuar: 31/12/2018 23:16
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Trajneri i njohur i futbollit, njëkohësisht profesori universitar, Bylbyl Sokoli, vjen me analizat e tij për futbollin çdo javë në RTV Dukagjini.

Sokoli, për dallim nga javët e tjera që paraqitet në “Duelin Sportiv” në RTV Dukagjini, këtë herë ka ardhur me një paraqitje të veçantë për edicionin festiv të këtij emisioni televiziv.

Ai këtë herë ka bërë bashkë në një formacion, politikanë të subjekteve të ndryshme politike.

I emëruar si “Formacioni Politik”, Sokoli ka thënë se suksesi i këtij formacioni varet se me çfarë kundërshtari do të përballen.

“Ne kemi dhënë vetëm ide dhe varet prej kundërshtarit me të cilin do të përballen. Nëse luajnë ndërmjet veti  do të humbin të gjithë”, ka thënë me shaka Bylbyl Sokoli.

Formacioni i politikanëve, nga Bylbyl Sokoli

Sokoli ka zbritur në fushë me formacionin 4-2-3-1, i cili përbëhet nga politikanë të subjekteve politike PDK, Vetëvendosje, PSD, AAK dhe ish-ambasadori i Kosovës në Shqipëri , Sylajmen Selimi.

Sipas vendosjes që ka bërë trajneri i njohur, portën i ka besuar deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu.

Mbrojtja përbëhet nga  deputetja e PDK-së, Blerta Deliu në të djathtë. Në të majtë këshilltarja e kryeministrit Haradinaj,  Albena Reshitaj. Ndërsa në qendër  të mbrojtjes Sokoli ka vendosur dyshen me profil ushtarak Sylejman Selimi dhe Rustem Berisha (AAK).

Mesfusha e përzgjedhur nga profesori i fizkulturës përbëhet nga Dardan Sejdiu, Shpend Ahmeti nga PSD, Ramush Haradinaj, Kadri Veseli  ndërsa “playmaker” është Hashim Thaçi.

Sulmin, trajneri Bylbyl Sokoli ia ka besuar Albin Kurtit./Telegrafi/