Fjolla Morina flet rreth projektit më të ri që e sjell ndryshe

E publikuar: 17/08/2017 09:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Këngëtarja Fjolla Morina ka qenë mjaft aktive këtë verë, ndërsa së shpejti do të prezantojë për fansat projektin e saj më të ri muzikor.

Kësaj here ajo vjen me ritëm dhe në bashkëpunim, ndërsa në një prononcim për Telegrafin, ka shpalosur detajet ekskluzive të projektit të saj më të ri.

“Kam realizuar këngën time më të re, muzikën e së cilës e ka punuar Alfred Sula në Shqipëri. Këtë herë vi në bashkëpunim me një reper nga Shqipëria, të cilin dua ta lërë befasi për publikun. Kënga është ritmike dhe besoj e pëlqyeshme për veshin e publikut”, tha Fjolla Morina për Telegrafin.

 Duke qenë se jemi ende në muajt e nxehtë, në vazhdimin e bisedës këngëtarja shpalosi fabulën e këngës së saj të re, e cila i adresohet kryesisht jetës së natës.

“Kënga e re flet më shumë për jetën e natës, për ndejat në clube, do të jetë diçka e veçantë dhe shumë provokuese”, tregon më tej këngëtarja.

Ditë më parë kanë përfunduar edhe xhirimet e klipit në Shqipëri, të cilat i janë besuar MAX Production, ndërsa për këtë pjesë, këngëtarja Morina tregon se janë bërë me kujdes përzgjedhjet e lokacionit.

“Xhirimet e klipit janë kryer në Tiranë tek një hotel, ende pa u hapur! Unë personalisht mendoj që kemi vende të bukura për me xhiru në vendin tonë, dhe kur ke ide sigurisht që klipet dalin bukur, aq më tepër me ndihmën e MAX Production”, shtoi më te Fjolla për Telegrafin.

Ky është projekti i parë i Fjolla Morinës për këtë verë, ndërsa për Telegrafin, këngëtarja zbulon se do të vazhdoj të jetë aktive në prurjet e reja.

“Kam qenë shumë e angazhuar këtë verë dhe do vazhdoj të jem aktive me koncerte, njashtu dhe për projekte të reja, do të jem gjithmonë e gatshme të sjell këngë me klipe”, përfundoi Fjolla Morina për Telegrafin.

Ekipi i Telegrafit ka përcjell nga afër xhirimet e klipit të ri të këngëtares, dhe ju sjellim në vazhdim disa imazhe ekskluzive nga klipi.

Edhe këtë herë, Morina nuk do t’i zhgënjejë fansat me performancën dhe dukjen e saj provokuese, së cilës kësaj radhe ia ka besuar stilistit Joni Peçi.