
Në Gjykatën Themelore të Pejës, ka nisur seanca fillestare ndaj te akuzuarit Urim Hysenit, i akuzuar për vrasjen e nënës së tij në mënyrë mizore.
Ekipi i terrenit të RTV Dukagjinit, ka njoftuar se seanca është mbyllur për media pas kërkesës së mbrojtësit të viktimave e që është pajtuar edhe prokuroria edhe avokati i të akuzuarit.
Në hyrje te gjykatës gazetarëve iu është marr edhe telefoni për të mos lejuar incizimin e seancës.
Urim Hyseni akuzohet se më 14 prill të këtij viti ka vrarë nënën e tij duke i shkaktuar më shumë se 20 plagë në pjesë të ndryshme të trupit.
Po ashtu, pasi ka vrarë nënën e tij, Urim Hyseni dyshohet se ka sulmuar me thikë babain dhe tezen e tij.
Prokuroria Themelore në Pejë, më 9 tetor 2023, kishte ngritur aktakuzë ndaj Urim Hysenit, i cili akuzohet se vrau në mënyrë mizore nënën e tij.
Sipas aktakuzës i akuzuari Urim Hyseni më 14 prill 2023, në shtëpinë e tij në Pejë, ka privuar nga jeta në mënyrë mizore nënën e tij, viktimën H.H., në rrethanat e përgjegjësisë së zvogëluar mendore në shkallë esenciale.
Aktakuza thotë se pas një mosmarrëveshjeje mes të akuzuarit dhe viktimës, për motive ende të panjohura, derisa gjendeshin në paradhomën e katit të parë të shtëpisë, i akuzuari në mënyrë mizore kryen vrasjen e viktimës.
Ai akuzohet se ka kryer veprën penale “vrasje e rëndë”.
Më 14 prill 2023, Policia e Kosovës kishte konfirmuar se një person dyshohet se e ka vrarë nënën e tij në Pejë.
Më 11 maj i është vazhduar edhe për dy muaj paraburgimi të dyshuarit për vrasjen e nënës.