Këshillit Ndërministror për Kontrollin e Duhanit mbajti sot një mbledhje në përbërjen e re, nga e cila iu bë thirrje qytetarëve që të mbështesin fushatën e sivjetme kundër duhanit që zhvillohet me moton “E dua Kosovën pa tym duhani”.
Qytetarët janë ftuar që të bashkohen në “ecjen pa tym”, që të dielën, më 31 maj, mbahet në Prishtinë në Ditën Ndërkombëtare kundër Duhanit.
Në takimin e mbajtur në Ministrinë e Shëndetësisë dhe të kryesuar nga ministri Imet Rrahmani është theksuar rëndësia e zbatimit të Ligjit për Kontrollin e Duhanit për shëndetin e qytetarëve të Kosovës. Gjatë kësaj Rrahmani ka konstatuar se “pas dy viteve të zbatimit të këtij ligji me periudha të zbatimit të mirë, por edhe me periudhë të shkeljeve të evidentuara, është koha që të gjitha institucionet përgjegjëse për zbatimin e tij të përmbushin obligimet e tyre”. Në këtë takim, siç komunikoi MSh, institucionet përgjegjëse për zbatimin e ligjit kanë raportuar për inspektimet e kryera, numrin e dënimeve të shqiptuara dhe aktivitetet e ndër marra nga ana e tyre.
Kështu, Inspektorati Sanitar që mbikëqyr zbatimin e ligjit në pjesën më të madhe të tij ka raportuar se prej hyrjes në fuqi të ligjit e deri në muajin maj të këtij viti, ka kryer 5.681 inspektime, duke dërguar në gjykata 346 fletëparaqitje ndaj shkelësve për persona juridikë dhe persona përgjegjës dhe 51 fletëparaqitje për persona fizikë, ndërkohë që ka shqyrtuar 812 ankesa.
Inspektorati Shëndetësor ka kryer 706 inspektime duke shqiptuar edhe 21 gjoba (17 në vitin 2013 dhe 2014 dhe 4 në vitin 2015).
Inspektorati i Arsimit raportoi për 786 institucione arsimore të inspektuara ndër të tjerë edhe për Ligjin për Kontrollin e Duhanit.
Policia e Kosovës raportoi se u ka asistuar inspektorateve në 65 raste dhe ka shqiptuar 133 gjoba mandatore, prej të cilave më 2015: 13 asistime dhe 29 gjoba. Si pikë ku kërko hen përmirësime të ndjeshme u theksua puna e gjykatave në shqyrtimin më të shpejtë të rasteve të dërguara aty nga inspektoratet përgjegjëse.
Në këtë takim, përveç raportimit edhe nga mekanizmat e tjerë, është prezantuar edhe Raporti i dytë i monitorimit të zbatimit të Ligjit për kontrollin e duhanit nga Qendra Kosovare për Avokim dhe Zhvillim (KADC), e cila sivjet u nderuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, përkatësisht drejtoresha e përgjithshme e saj me çmimin për të arritura konkrete në fushën për kontrollin e duhanit. Këtë lajm në takim e bëri të ditur shefi i OBSH-së për Kosovë Dr. Skënder Syla, i cili tha se OBSH ka radhitur Kosovën në mesin e pesë shteteve evropiane me të arritura konkrete në fushën e kontrollit të duhanit në bazë të analizave të bërë dhe në këtë aspekt, për kontribut të drejtpërdrejt është KADC-së i është ndarë ky çmim.
Në takimin e Këshillit ku përveç inst itucioneve qeveritare janë të përfshira edhe tri organizata të shoqërisë civile, u tha se një raport i detajuar për ecurinë e deritanishme të zbatimit të ligjit do t’i përgatitet e dërgohet Qeverisë dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës, ndërkohë që u kërkua intensifikimi i aksioneve, fushatave të ndërgjegjësimit dhe veprimeve të tjera që do të fuqizojnë zbatimin e ligjit dhe do të bëjnë të prekshëm ndikimin pozitiv të këtij ligji, me gjithë vështirësitë, në jetën dhe shëndetin e qytetarëve të Kosovës.