Fetoshi: Të adresohet ‘paradoksi politik’ me Listën Serbe

E publikuar: 08/05/2025 17:32
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Bazuar në iniciativën dhe debatin gjerman kundër “partisë ekstremiste të djathtë” Alternativës për Gjermaninë (AfD), drejtori i Institutit “Octopus”, Arben Fetoshi, ka dalë me një analizë mbi ngjashmëritë dhe dallimet e kësaj partie me Listën Serbe. “Kosova duhet ta adresojë kërcënimin që paraqet ky subjekt, por me një qasje të kujdesshme e gjithëpërfshirëse duke hapur një debat racional që nxit vetëdijen publike për paradoksin politik (vepron në shtetin e Kosovës dhe e lufton ekzistencën e tij), si dhe një monitorim rigoroz të diskursit e veprimeve të Listës Serbe kundër rendit kushtetues të Kosovës”, vlerëson Fetoshi.

“Lista Serbe është një instrument i strategjisë hibride të viktimizimit, e cila duke shtyrë narrativën se qytetarët serbë në Kosovë janë të persekutuar nga institucionet, i shërben qëllimit të Serbisë për ta penguar konsolidimin ndërkombëtar të Kosovës”, shkruan Fetoshi.

Silas tij, viktimizimin si strategji e përdor edhe AfD-ja, por për efekte emocionale që synojnë fuqizimin e ndjesisë te gjermanët se janë të margjinalizuar brenda shoqërisë së tyre për shkak emigracionit dhe politikave liberale.

“Në analogji me qasjen e Gjermanisë, edhe Kosova duhet ta adresojë kërcënimin që paraqet Lista Serbe, por me një qasje të kujdesshme dhe duke analizuar specifikat që kanë të bëjnë me dialogun për normalizim. Në rastin e Listës Serbe është e nevojshme një qasje gjithëpërfshirëse, e cila nënkupton një debat racional që nxit vetëdijen publike për paradoksin politik (vepron në shtetin e Kosovës dhe e lufton ekzistencën e tij), si dhe një monitorim rigoroz të diskursit e veprimeve të saj kundër rendit kushtetues të Kosovës. Një qasje e tillë do të nënkuptonte paralajmërimin si fazë fillestare (vendimi i BfV-së lejon masa rigoroze të mbikëqyrjes dhe vëzhgimit) dhe më pas veprimet përkatëse institucionale për ndalim, por duke e menaxhuar koston në favor të shtetit të Kosovës”, tha ai.