Ferizaj: Imami amerikan Handi pohoi se grupet terroriste nuk përfaqësojnë Islamin

E publikuar: 07/03/2015 20:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Teologu amerikan me renome ndërkombëtare, imami i Universitetit Georgetown, Yahya Handi, gjatë një ligjërate para besimtarëve islam në Ferizaj, tha se grupet dhe organizatat kriminale dhe terroriste si ISIS, Boko Haram, Al Qaida dhe të tjera, nuk përfaqësojnë fenë islame. Sipas tij, aktet makabre të pjesëtarëve të këtyre grupeve, janë në kundërshtim me të gjitha mësimet islame.

“Të presësh kokat e fëmijëve sikurse ISIS në Siri, të vrasësh femrat vetëm se po edukohen siç bënë Boko Haram në Nigeri, apo të djegësh kisha dhe për gjitha këto të thirresh në Islam, Sheriat dhe Kuran, athua mund ta besoj pastaj ndokush se feja islame është fe e paqes paqes dhe e tolerancës? Unë them se ata nuk e përfaqësojnë fenë time, sepse të presësh kokat e fëmijëve nuk ta lejon as islami, as kur’ani e mësimet e profetit Muhamed. Ne duhet që të gjitha këto t’i kundërshtojmë dhe luftojmë në çdo mënyrë dhe në çdo formë”, tha imami Handi.

Ai gjithashtu ferizajasve u tha që ta kuptojnë islamin si koncept e jo si emër të ndonjë grupi apo individi. Imami Handi tha se islami është fe e paqes dhe e tolerancës, madje edhe vet emri islam është nga një fjalë arabe që do të thotë paqe.

“Miq të nderuar fjala islam ka rrënjë të veten fjalën arabe salama, e cila do të thotë paqe. Prandaj emërtimi i fesë islame është i bazuar në një koncept, në konceptin e paqes. Kjo fe nuk e ka marrë emrin as nga një grup, as nga ndojë individ, fis apo organizatë, por është fjalë sipas një koncepti, pra sipas një paradigme, asaj të paqes. Dhe meqë Zoti është i tillë qe dashuron, është i tillë si i plotmëshirshëm, atëherë ne i dorëzohemi në tërësi Zotit, mirësisë së Zotit, ashtu është edhe kuptimi i fjalës salama e cila edhe do të thotë se ne jemi në paqe me Zotin. ”, shtoi imami, Handi.

U tha se ky është vendi i 41-të që imami Yahya Handi po e viziton me çrast mban ligjërata për fenë islame, e të cilën e paraqet si fe e paqes dhe e tolerancës, për çka edhe është shpërblyer me shumë çmime ndërkombëtare, për luftë kundër terrorizmit./TVTEMA/