Energjia e gjelbër dhe teknologjia digjitale, fokusi në panairin e tregtisë së shërbimeve të Kinës

E publikuar: 31/08/2022 10:25
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Me një zonë për eksplorimin e konceptit të shumëpërfolur “metaverse” dhe një temë krejt të re për shërbimet mjedisore, ekonomia digjitale dhe mbrojtja e mjedisit do të jenë fokusi i Panairit Ndërkombëtar për Tregtinë në Shërbime të Kinës (CIFTIS) për vitin 2022, që hapet sot.

CIFTIS, panairi më i madh gjithëpërfshirës për tregtinë globale të shërbimeve, mbahet në Pekin nga 31 gushti deri më 5 shtator.

Vizitorët do të shohin në panair disa prej teknologjive më të përparuara, duke përfshirë trenat elektrike me shpejtësi të lartë “Fuxing” të prodhuar nga Grupi i Hekurudhave i Kinës dhe terminalin inteligjent 5G “Yuanhai” të Xiamen-it, një terminal plotësisht i automatizuar i kontejnerëve, i krijuar në mënyrë të pavarur nga Kina.

Sivjet do të vazhdojnë të zhvillohen ekspozita tematike të panaireve të mëparshme, për të shfaqur teknologji të ndryshme të reja në sektorin e shërbimeve lidhur me financat, arsimin, shëndetësinë, zinxhirin furnizues dhe biznesin.

Zona e shërbimeve të biznesit fokusohet në shërbimet ligjore, këshilluese e reklamuese, si edhe në pronësinë intelektuale dhe shërbime të tjera profesionale të sipërmarrjeve të njohura vendase e të huaja, duke nxitur ndërkombëtarizimin ose hyrjen e tyre në tregun kinez.

“Vlera e shtuar e sektorit të shërbimeve të Kinës është rritur me 1.49 herë në dekadën e fundit, ndërsa importi i shërbimeve i ka kaluar 4 trilionë dollarët amerikanë, duke forcuar më tej epërsinë e tregut super të madh të Kinës,” tha Sheng Qiuping, zv.ministri i Tregtisë i Kinës, në një konferencë shtypi javën e kaluar.

Sivjet, si sipërfaqja e ekspozimit, ashtu edhe numri i pjesëmarrësve me prani fizike në panair do t’i kalojnë ato të edicionit të kaluar. Sipërfaqja e përgjithshme e ekspozimit arrin në rreth 152 mijë metra katrorë, 26 mijë metra katrorë më shumë se vjet.

Në panairin e sivjetshëm marrin pjesë me prani fizike 1407 kompani, shifër kjo 13.8% më e lartë në krahasim me vitin e kaluar. 446 prej tyre përfshihen në listën e 500 kompanive më të fuqishme në botë të revistës “Fortune” ose janë udhëheqëse në sektorët e tyre. Përqindja e përgjithshme e ndërkombëtarizimit arrin në 20.8 %, duke u rritur rreth 3 % në krahasim me vitin e kaluar.

Gjithsej 71 vende e organizata ndërkombëtare do të marrin pjesë në panairin e këtij viti, duke përfshirë Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Zvicrën, Italinë, Australinë etj. Emiratet e Bashkuara Arabe janë vend i ftuar nderi këtë herë.