Ekipi negociator i Kosovës, nis serinë e takimeve në Bruksel

E publikuar: 15/01/2018 21:12
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ekipi i ri negociator i Kosovës për dialogun me Serbinë ka nisur sot një varg takimesh në Bruksel.

Delegacioni i Kosovës, i kryesuar nga Avni Arifi, dhe në përbërje të Meliza Haradinaj, Alban Dermaku, Ardian Arifaj dhe Blerand Stavileci, si dhe ambasadori i Kosovës në Bruksel, Bernard Nikaj, kanë zhvilluar një takim më shumë se tre orësh me zyrtarët më të lartë të Bashkimit Evropian.

Lajmin e ka bërë të ditur Qeveria, nëpërmjet një njoftimi.

“Energjia, liria e lëvizjes, bashkëpunimi rajonal, janë disa nga temat për të cilat do të diskutohet në këtë fazë të takimeve. Delegacioni i Kosovës ka shprehur përkushtimin për dialog, më saktësisht për një dialog në funksion të të gjithë qytetarëve të Kosovës, të gjithë atyre që janë të kyçur në këtë proces”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Grupi i ri negociator ka thënë se është i përkushtuar që procesi i dialogut të zhvillohet me transparencë të madhe në raport me qytetarët.