Edhe sikur të zgjidhej çështja e demarkacionit me Malin e Zi, Bashkimi Evropian duhet t`i bindë shtetet që të aprovojnë liberalizimin e vizave për Kosovën. Situata në Spanjë mund të ndikojë në këtë çështje, meqë vendi po përballet me problemet e veta të brendshme.
Deputeti i pavarur në Kuvendin e Kosovës, Korab Sejdiu ka thënë për “Indeksonline” se çdo zvarritje e demarkacionit, çon edhe në zvarritjen e liberalizimit të vizave.
“Duke pasur parasysh që BE e ka vendosë këtë kusht që shumë leht mund t`it hemi artificial sepse iu ka vendosë vetëm Kosovës që është kusht për liberalizim, çfarëdo zvarritje në përfundimin e çështjes së demarkacionit, nënkupton zvarritje edhe për vizat. Por ato kushtëzohen edhe me luftën kundër korrupsionit dhe është çështje edhe e BE-së që si ti bindë shtetet individuale që ato ta aprovojnë liberalizimin e vizave, kur e dimë se kohët e fundit çfarë probleme kanë lindë në shtetin që nuk na njeh, Spanjën dhe mund të paraqesë problem edhe vet brenda BE-së sa i përket çështjes së liberalizimit”, ka thënë ai.
Tutje, Sejdiu ka shtjelluar disa opsione se si mund të veprohet në rastin e shënjimit të vijës kufitare me Malin e Zi, duke theksuar edhe tërheqjen e kryeministrit Ramush Haradinaj nga versioni aktual i demarkacionit.
Sipas tij, çështja mund të shkojë edhe në Arbitrazh por sërish do nevojitej pajtimi i Malit të Zi, kurse kjo e fundit tashmë ka deklaruar se çështja e demarkacionit për ta është “punë e kryer”.
“Në këto rrethana, opsionet janë dy, ose kryeministri të largohet nga qëndrimi fillestar që ka pasë që të kundërshtojë versionin aktual dhe propozon në Kuvend për ratifikim dhe opsioni tjetër është që me tentativa diplomatike të bindet Mali i Zi që të largohet nga pozicioni i tyre, që prapë është e vështirë. Opsionet tjera janë për shembull të shkohet në Arbitrazh, por përsëri edhe atje kërkohet pajtimi i Malit të Zi që nuk besoj se do të ndodhë. Opsioni tjetër që në Kosovë do të nënkuptonte probleme dhe humbje serioziteti në nivelin ndërkombëtarë, ajo është nëse marrëveshja vjen për ratifikim në Kuvend dhe nuk kalon. Ajo pastaj vërtetë e kthen në pikën 0 në anën tonë, por ballafaqohesh me probleme se Mali i Zi thotë se e kam ratifiku, dhe nuk del valide kjo marrëveshje”, është shprehur ai për “Indeksonline”.
Ndryshe, Sejdiu ka thënë se kur koalicioni aktual PDK-AAK-Nisma-AKR e kanë marrë përsipër formimin e Qeverisë, ata duhet ta kenë menduar edhe një zgjidhje për këtë gjë.
Ai ka deklaruar se pavarësisht a do jetë në opozitë apo pozitë, çdoherë do ta japë kontributin e tij në çështjet me interes kombëtar, siç janë vizat./Indeksonline/

















