Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije në një komunikim ne rrjetet se nga janari 2026 paga minimale do të shkojë 500 euro, ndërsa brenda këtij mandati qeverisës do të bëhet 700 euro.
“Përshëndetje, sot me kostum se për pak marrim në dorëzim progres-raportin e Komisionit Europian për Shqipërinë dhe kemi konferencë. Padyshim që pjesën e luanit të buxhetit 2026 e zënë pensionistët për të cilët e nisim vitin e ardhëm me 100 milionë euro shtesë, përveç indeksimit, në 2027 e dyfishojmë 200 milionë euro, plus indeksimi 45 milionë euro, në 2028 e trefishojmë 300 milionë euro, plus indeksimi 46 milionë euro; në 2019, e katërfishojmë 400 milionë euro, plus indeksimi 47 milionë euro; dhe në 20230 e pesëfishojmë, 500 milionë euro, plus indeksimi 48 milionë euro.
Pra janë miliardë më shumë që pensionistët do të marrin mbrapsht për mandatin tonë. Por nga janari do rritet edhe paga minimale, të cilën nënpunësit do marrin shumën e premtuar 500 euro. Paga minimale do të arrijë 700 euro brenda mandatit qeverisës. Do të subvencionojmë për një një periudhë 9-mujore me 90 milionë euro edhe shtesën e kostos së sigurimeve në sektorin privat.
Ne themi atë që bëjmë dhe bëjmë atë që themi. Ato 83 mandate që ju na dhatë, janë 83 arsye më shume sesa deri dje për të mos fjetur gjumë. Për të punuar pa pushim dhe për t’ju kthyer me gjithë pasionin të gjithë atë që ju na dhatë me besim të jashtëzakonshëm”, tha Rama në një komunikim në rrjetet sociale.


















