The Economist: Vështirësitë e shkëmbimit të territorit në Ballkan

E publikuar: 19/02/2018 13:53
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në një analizë për Ballkanin, revista prestigjioze londineze  “The Economist” ndër të tjera shkruan se nëse Kosova dhe Serbia shkëmbejnë parcelat e tokës, procesi nuk do të përfundojë me kaq, pasi  kufijtë në Ballkan janë një rrëmujë. Artikulli shtjellon hollësisht pasojat e mundshme të një shkëmbimi territoresh mes vendeve ballkanike:

Dhjetë vjet më parë Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia. Shqiptarët e saj, të cilët përbëjnë shumicën e popullsisë, po festojnë. Por serbët e saj, shumica e të cilëve jetojnë në enklava, nuk kanë bërë një gjë të tillë. Serbia nuk e njeh Kosovën, e cila dikur ishte provinca e saj jugore dhe serbët e Kosovës ende e konsiderojnë veten shtetas të Serbisë. Situata është tipike për Ballkanin, ku kufijtë, sinqerisht, janë rrëmujë. Pra, ka serbë që jetojnë në Kosovë dhe në Bosnjë e Hercegovinë, ku kanë republikën e tyre (Republika Srpska), shqiptarët dhe boshnjakët (myslimanët) që jetojnë në Serbi dhe grekët që jetojnë në Shqipëri. Kohët e fundit autoritetet serbe propozuan një diskutim rreth një shkëmbimi të territorit me homologët e tyre shqiptarë të Kosovës. A është kjo ide e arsyeshme?

Image

Në vitin 1923, Greqia dhe Turqia ranë dakord të shkëmbejnë rreth 2 milionë njerëz. Kryesisht qytetarë ortodoksë grekë folës të Turqisë u dërguan në Greqi dhe muslimanët nga Greqia u dërguan në Turqi, përcjell “Zeri.info”. Ishte një zhvendosje brutale, por, vini re,  iniciuesit e kësaj, Greqia dhe Turqia nuk kanë luftuar mes veti që nga ajo kohë. I vetmi vend ku grekët dhe turqit kanë luftuar është Qipro, ku popullatat e tyre mbetën të përziera. Kjo ka frymëzuar nacionalistët në Ballkanin perëndimor. Mes viteve 1918 dhe 1950, shumë muslimanë u inkurajuan të largoheshin nga Jugosllavia për në Turqi. Por në kohën e rënies së Jugosllavisë në vitet 1990 ajo ende përmbante një përzierje të plotë të popujve.

Udhëheqësit në ato luftëra jugosllave panë spastrimin etnik si mënyra më e mirë për të krijuar shtete të reja kombëtare të papërfshira nga pakicat problematike. Deri në vitin 1995 rajonet historikisht të populluara nga serbët e Kroacisë mbetën të zbrazëta dhe qindra mijëra serbë, kroatë dhe boshnjakë në mënyrë të ngjashme ishin dëbuar nga shtëpitë e tyre në Bosnje. Por vendet që dolën nga implikimi nuk u rrethuan mirë nga serbët, shqiptarët, kroatët e kështu me radhë. Një numër i serbëve mund të kenë ikur nga Kosova pas luftës së saj, por rreth 120,000 mbeten atje, transmeton zeri.info

Autoritetet serbe duan të diskutojnë për dhënien e pjesës veriore të Kosovës Serbisë, kurse rajonet e banuara me shqiptarë të Serbisë t’i kalojnë Kosovës në këmbim. Përkrahësit e një “hartimi të tillë” thonë se shtetet multietnike kanë dështuar në Ballkan. Por ata injorojnë faktin se, sapo qeveritë të fillojnë këtë rrugë, procesi nuk ka fund të dukshëm dhe nuk i kushton vëmendje të drejtave të njeriut të të gjithë të përfshirëve. Nëse Kosova dhe Serbia fillojnë bisedime serioze rreth një rivendosje të kufijve të tyre, ndikimi në komunitetet e Ballkanit përveç atyre në pjesët e prekura të Kosovës dhe Serbisë mund të jetë i thellë. Krerët serbë boshnjakë do të mbajnë një referendum mbi të ardhmen e Republikës Serbe; Kroatët e Bosnjës do të ndiqnin shembullin; dhe boshnjakët pastaj do të luftonin për të parandaluar ndarjen e vendit të tyre të përbashkët.

Përtej kufirit Serbia do të shtypte nacionalistët boshnjakë në Sanxhak, të cilët ëndërrojnë të përfshijnë atë rajon në një Bosnje të Madhe. Ndërkohë shqiptarët në Maqedoninë perëndimore dhe Malin e Zi do të kërkonin të bashkoheshin me një Shqipëri të Madhe. Përkrahësit e kësaj ideje do të dëshironin gjithashtu të përfshijnë pjesë të Greqisë veriore, ndërsa nacionalistët grekë do të kërkonin një pjesë të Shqipërisë së Jugut, përcjell zeri.info

Një ironi prapa shkëmbimit të diskutueshëm është se shumica e serbëve të Kosovës jetojnë aktualisht në enklava në jug të Kosovës. Pra, marrëveshja nuk do t’i linte ata të jetonin në Serbi, dhe ata ndoshta do të duhej të largoheshin nga shtëpitë e tyre ose do të dëboheshin. Por zyrtarët serbë mund të jenë më pak të brengosur për bashkatdhetarët e tyre sesa për ndërmarrjen e hapave drejt njohjes së Kosovës dhe duke e bërë më të lehtë hyrjen e tyre në Bashkimin Evropian (BE). Mund të mos shqetësojë ata që një shkëmbim territoresh në Ballkanin Perëndimor mund të ketë pasoja të mëdha. Në fund të fundit, nacionalistët hungarezë mbeten të pabarazuar me humbjen e Transilvanisë në Rumani dhe nacionalistët rumunë do të dëshironin të rivendosin kufijtë e tyre duke përfshirë brenda Moldavinë. Ka një arsye që “Ballkanizimi” ka një emër të keq. Ashtu si në BE në përgjithësi, zvogëlimi i rëndësisë së kufijve kombëtarë do të dukej gjë e mençur sesa rirregullimi i tyre dhe, sipas fjalëve të një zyrtari të lartë të BE-së, ajo do të ishte “hapja e portës për në ferr”./Zeri/