Një incident që filloi si rrëzim duarsh mes dy shokësh, përfundoi me vdekjen e njërit prej tyre.
Kjo ndodhi afër shkollës fillore “Anton Çetta” në Aqarevë, njofton Klan Kosova.
Valdet Shabani, që pas dy muajve do mbushte 17 vjet, gjeti vdekjen në mënyrë të pazakontë.
Lajmin e priti me dhimbje i ati Fadili, që në kohën kur ndodhi konflikti fizik sapo kishte ngrënë darkën.
Policia ka klasifikuar rastin si vrasje, andaj e ka dërguar në paraburgim edhe 16-vjeçarin H.A.
Në informacionet që ka Policia, dyshohet se incidentit t’i ketë paraprirë një zënkë e çastit mes viktimës dhe të dyshuarit, ku pas rrahjes ndërmjet tyre viktima ishte përplasur për tokë e që dyshohet se kishte mbetur pa shenja jete.
Rrethanat e plota të vdekjes së viktimës megjithatë pritet të zbardhen pas ekzaminimit mjeko-ligjor të kufomës.