“E pamundur t’ia dalë”, babai i Haaland tremb Guardiolën

E publikuar: 27/03/2023 07:19
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Erling Haaland braktisi grumbullimin me kombëtaren e Norvegjisë katër ditë më parë. Bomberi i Manchester City ishte gati të jepte kontributin e tij për takimet ndaj Gjeorgjisë dhe Spanjës, por u privua nga problemet në ijë.

Pep Guardiola shpreson ta ketë goleadorin të gatshëm për takimin ndaj Liverpoolit. Manchester City po garon me Arsenalin për fitimin e Premier League.

Kampionët në fuqi të Anglisë, sfidojnë Liverpoolin në “Etihad Stadium” (1 prill), duel që vjen si gjithmonë në SuperSport.

Babai i 22-vjeçarit viking, theksoi në prononcimin e fundit se Erling do të mungojë në ndeshjen ndaj skuadrës së Jurgen Klopp.

“Unë nuk jam mjek, por mendoj se do të jetë e vështirë që të jetë gati për ndeshjen ndaj Liverpoolit. Nuk mund të kalosh dy javë pa u stërvitur dhe më pas të zbresësh menjëherë në fushë”, theksoi Alfie Haaland.
/tch/