“E palogjikshme, Qeveria t’ua marrë paratë komunave kur s’i shpenzon të vetat”

E publikuar: 22/11/2022 17:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Me Projekt-buxhetin për vitin 2023, Qeveria ka paraparë që të hyrat vetanake të mbledhura para vitit fiskal 2022 dhe të pashpenzuara, të bëhen pjesë e Fondit të Kosovës në bilancin bankar. Kundër paragrafit që parasheh këtë, ka dalë sot Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, i cili është shprehur i alarmuar. Këtë e ka konsideruar si të palogjikshme edhe ish-Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, i cili ka thënë se Qeveria s’ka pse t’ua marrë këto para komunave kur s’po i shpenzon as mjetet e veta.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka alarmuar për Projektligjin mbi Ndarjet Buxhetore për vitin 2023, në një paragraf të së cilit parashihet që të hyrat vetanake të komunave mbledhura para vitit fiskal 2022 dhe të pashpenzuara, të bëhen pjesë e Fondit të Kosovës në bilancin banker. Bëhet fjalë për rreth 38 milionë euro, të hyra vetanake të mbledhura nga qytetarët e Prishtinës.

“Bilancet e pashpenzuara të të hyrave vetanake të komunave nga viti fiskal 2022, të depozituara në Fondin e Kosovës dhe të regjistruara në SIMFK si ndarje buxhetore për një komunë, ndahen për vitin fiskal 2023 sipas autorizimeve të LMFPP-së, duke ruajtur strukturën e shpenzimeve dhe aprovuar me vendim të Kuvendit të Komunës. Te gjitha te hyrat vetanake te mbledhura para vitit fiskal 2022 dhe te pashpenzuara, bëhen pjesë e Fondit të Kosovës në bilancin banker”, thuhet në paragrafin 6, të Nenit 9.

Rama ka kërkuar që të fshihet fjalia e fundit e këtij paragrafi, duke shtuar se “të hyrat vetanake të Prishtinës, i takojnë vetëm Prishtinës!”.

Sipas Ramës, miratimi i këtij projektligji në këtë formë, do të paraqesë edhe shkelje të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

“Neni 124, pika 5 e Kushtetutës së Republikës së Kosovës specifikon se “Komunat kanë të drejtë të vendosin, të caktojnë, të mbledhin dhe të shpenzojnë të hyrat e veta si dhe të marrin fonde nga Qeveria qendrore, në pajtim me ligjin”. Për më tepër, Ligji për Financat e Pushtetit Lokal, neni 2, Pavarësia Financiare e Komunave, pika 2.3, parasheh që “Për të mirë të popullsisë së komunës, Kuvendi Komunal dhe zyrtarët ekzekutiv kanë të drejtën dhe autorizimin që në mënyrë të pavarur t’i rregullojnë dhe menaxhojnë burimet financiare të cilat rrjedhin nga të hyrat vetanake komunale ose të cilat i janë ndarë komunës në formë të grantit të përgjithshëm”, ka shkruar Rama.

Edhe ish-Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka dalë kundër këtij paragrafi, duke thënë se është e palogjikshme që këto mjete të bëhen pjesë e bilancit bankar, në një kohë kur Qeveria s’po i shpenzon as mjetet e veta.

“Krejt kjo është e palogjikshme, jashtë komentit se a shkelet Kushtetuta apo jo sepse s’jam jurist me interpret një çështje të tillë. Nëse e shikojmë nga ana e logjikës së përgjithshme, është e palogjikshme që këto mjete të hiqen dhe të bëhen pjesë e bilancit banker, në një kohë kur Qeveria realisht edhe mjetet e veta që i ka nuk po i shpenzon, pra s’po tregon ndonjë efikasitet që do të ishte një shembull i mirë në këtë rast për komunat për me qenë realisht me më shumë efekt në ekonomi”, ka deklaruar Rukiqi për Gazetën Express.

Sipas tij, Ligji për Ndarjet Buxhetore mund t’i rregullojë disa pjesë, por se s’mund të ndërhyjë në kompetenca që rregullohen me ligje të tjera.

“E para, Ligji për Ndarjet Buxhetore mund t’i rregullojë disa pjesë, mirëpo normalisht që nuk mund të ndërhyjë në disa kompetenca që janë të ndara me Ligjet tjera, me ligje që e rregullojnë edhe funksionimin e pushteteve në Kosovë, në këtë rast Pushtetit Lokal. E pash edhe një reagim të Kryetarit të Prishtinës për këtë çështje. Tani të mos harrojmë që Prishtina e ka edhe ligjin e veçantë, që në asnjë rast nuk parasheh që me pas veprime të tilla nga Qeveria, për më shumë parasheh që Kryeqyteti të përkrahet me fonde shtesë”, ka thënë Rukiqi.

Para katër ditësh, Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim Projekbuxhetin për vitin 2023, që parashihet të ketë vlerë mbi 3.2 miliardë euro.

45 deputetë votuan për dhe një kundër. Deputeti i LVV-së, Fatmir Humolli ishte ai që e kundërshtoi këtë deputet, për çka ka deklaruar sot më herët.

Në votim nuk kanë marrë pjesë partitë opozitare, të cilat e kanë kundërshtuar në vazhdimësi./Gazeta Express