“Dy” shkelje brenda vitit: Çfarë pritet të ndodhë me Liljana Stevanoviqin, kryetaren e dorëhequr të Gjykatës Themelore në Mitrovicë

E publikuar: 18/11/2022 19:44
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Duke e duartrokitur më 4 nëntor, dhe një ditë më pas në protestën që thirri Lista Serbe, duke mbajtur vetë fjalim, Liljana Stevanoviq mbetet një prej mbështetësve më me peshë të këtij subjekti politik në thirrjen për t’u dorëhequr nga institucionet e Republikës së Kosovës.

Kryetarja e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, me një dorëheqje ende të pakonfirmuar, nuk e ka të parën herë brenda këtij viti që përfshihet kaq direkt në veprime politike.

Edhe në mars, Stevanoviq u pa (u vërejt ekskluzivisht nga Klan Kosova) në takimin e thirrur në Beograd nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, gjë që e la jashtë detyrës për 28 ditë pune.

Nga 24 marsi gjerë më 10 maj e njëjta ishte e suspenduar, dhe ka të ngjarë që e njëjta mund edhe të shkarkohet pas përsëritjes së veprimit afërsisht të njëjtë tashti në nëntor.

Për këtë çështje ka folur më gjerësisht për Klan Kosova, Albert Zogaj, kryesues i KGJK-së.

“Absolutisht për gjyqtarët, pa përjashtuar edhe kryetarët që kanë konsumuar shkelje disiplinore dhe që këto konfirmohen me kërkesën për inicimin e procedurës disiplinore nga kryetarët e gjykatave. Absolutisht është detyrë e sistemit me e shkarku dikë, e jo me ia pranu dorëheqjen. Pra unë besoj që edhe në mars, ky këshill ka tregu që ka vepruar me përgjegjësi të lartë pavarësisht ndjeshmërisë së rastit, duke qartësuar për publikun që ka pas një marrëveshje mes kryetares së Gjykatës dhe Panelit të hetimit, që e ka konfirmu edhe Këshilli pastaj. Ligji për përgjegjësinë disiplinore e lejon marrëveshjen e subjektit të hetimit, që në këtë rast ka qenë Kryetarja e Gjykatës me Panelin e Hetimit dhe që tregon se marrëveshja është një masë pak më e butë se sa do të shqiptohej në Këshill por është bazë ligjore që ne e kemi respektuar”.

Por a e shkeli Liljana Stevanoviq këtë marrëveshje?

“Tash kjo, nëse kemi një kërkesë të dytë për kryetaren, kjo do të merret si rrethanë rënduese sepse veç kemi një përsëritje të situatës, së përafërt po themi, që do të konsiderohet edhe nga Paneli edhe nga Këshilli, por është pak paragjykuese me thënë se cili do të jetë procesi apo sanksioni i shqiptuar, por definitvisht do të kemi procedura disiplinore”.

Kryetarja e dorëhequr e Gjykatës Themelore në Mitrovicë është një nga 25 gjyqtarët që kanë vendosur t’i japin fund karrierës në sistemin e drejtësisë në Kosovë, por që këto akt-dorëheqje janë në shqyrtim e sipër nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.