Kandidati i AAK-së për kryetar të Istogut, Gani Dreshaj ka thënë se qytetarët e kësaj komune e duan një kryetar që punon për ta.
“Qytetarët në Istog presim që t’i përvjelim duart dhe të punojmë”, ka thënë ai, njofton Klan Kosova.
“ Ne në Istog mund të jetojmë nga turizmi malor. Atje nuk ka vende pune, gjinia femërore është në mjerim. Mund të jenë 100 – 150 gra që punojnë edhe ato më rroga të vogla”, ka thënë ai në Magzina Lokale.
Dreshaj ka thënë se duhet punuar për të rritur mirëqenien e qytetarëve të Istogut.
“Nuk hahet infrastruktura, nuk të duhet rruga nëse nuk qarkullojnë kerret. Asfalti nuk hahet”, është shprehur ai.
“Gurbetqarët vijnë verës dhe ka shumë të tillë dhe e kanë dëshirën që të investojnë jo milionat por ndoshta 100 mijë euro, por ata vijnë këtu dhe kthehen pa para”.
“Ne na ka falë zoti ato që s’i ka asnjë komunë, kemi ujë po e lëmë tokën pa ujit”, është shprehur Dreshaj.
Sipas tij në Istog me ujë të pijshëm dhe të ujitjes ka shumë probleme.
“Po flasim për një infrastrukturë, lum Istogu që i ka këta kandidatë, por PDK dhe LDK kanë pasur kohë dhe kanë mundur ta ndryshojnë gjendjen. Në kompaninë rajonale duhet të hiqen ata burokratët që janë aty qe mbi 20 vjet. Pas 17 vitesh qeverisje të LDK-në në Istog ne ende flasin për ujë të pijshëm”, ka thënë Dreshaj.



















