Donatori i arrestuar për terrorizëm kishte xhami private, i paguante qira vëllait të deputetit të Vetëvendosjes

E publikuar: 16/03/2016 11:41
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Fatos Rizvanolli, i arrestuar nën dyshimin se ka financuar terrorizmin kishte në posedim një xhami private jashtë juridiksionit të BIK’ut. Ai për këtë xhami i paguante qira Islam Selimit, vëllait të deputetit të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi.
Policia kosovare të mërkurën ka arrestuar Fatos Rizvanollin, një biznesmen nga Peja me aktivitet në Prishtinë nën dyshimin për financim të terrorizmit.

Rizvanolli, pronar i biznesit “Rent a car Tosi”, dyshohet se ka kryer transportin e kosovarëve për në Siri si dhe ka mbuluar financiarisht udhëtimet e tyre për t’ju bashkuar grupeve terroriste.

Policia e Kosovës ka njoftuar se i dyshuari është arrestuar derisa bizneset dhe pronat e tij në Prishtinë dhe Pejë janë bastisur. Operacioni i nisur në ora 6 të mëngjesit të ditës së sotme ka rezultuar me konfiskimin e një seri provash materiale.

Afro tri vite më parë, Gazeta Express në një hulumtim kishte gjetur se Rizvanolli ishte donator i një xhamie jashtë juridiksionit të Bashkësinë Islame të Kosovës e që operonte në një lokal të një ndërmarrje shoqërore të lidhur me familjarë të politikanëve kosovarë të opozitës.

Hulumtimi i Gazetës Express, zbuloi në vitin 2013, se në këtë xhami ishte kontraktuar në mënyrë private imami Bedri Robaj që më vonë u kap për terrorizëm, në kohën kur u arrestuan edhe dhjetë kolegë të tjerë të tij por ata nga BIK’u.

Paguanin qira për Islam Selmit, vëllait të deputetit të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi

Xhamia pa emër e vetëm me mbi shkrimin “XHAMI”, gjendej në lokalet e Ndërmarrjes Shoqërore (NSh) “Auto-Prishtina” e cila qe më shumë se një dekadë drejtohet nga Islam Selimi, vëllai i deputetit aktual të Partisë Vetëvendosje Rexhep Selimi.

Gazeta Express ishte aty në vitin 2013, por drejtuesit e saj nuk pranojnë të flasin për gazetën. Por, se si kjo hapësirë e “Auto-Prishtinës” përfundoi në xhami, tregonte Islam Selim.

“Në fillim këta djemtë erdhën dhe më kërkuan që t’ua jap një pjesë të hapësirës që t’i lënë pakot e disa ndihmave që ata po i shpërndanin për të varfrit dhe Ramazanin e kaluar ua dhashë pa kompensim një hapësirë në shfrytëzim, por më vonë ata filluan të falen aty dhe kërkesat e tyre u rritën”, rrëfente Selimi për Express.

Ai tregon se ata kërkuan që tu jepej edhe më shumë hapësirë dhe për këtë ra në ujdi me ta që ata të fillonin të paguanin.

“Për atë hapësirë që shfrytëzojnë ata paguaj 500 euro në muaj qira”, thoshte Islam Sleimi, i vëllai i deputetit Rexhep Selim.

Hapësira që kjo xhami kishte në shfrytëzim është afro 200 metra katror sipërfaqe.
“Unë kontratën e kam me një djalë që e ka emrin Fatos. E ka një biznes për dhënie të makinave me qira ‘Tosi’”, tregonte për Express Islam Selimi.

Express pati provuar që të flas me biznesmenin që bënë pagesën e qerasë, por i njëjti nuk kishte pranuar që të komentojë.

Ky biznesmen, Fatos Rizvanolli nga Peja, sipas gjetjeve të Express në vitin 2013 kishte në pronësi biznesin N.T.SH ,,AUTOMARKET” derisa është person i autorizuar edhe në biznesin NTSH “Tosi” që është në pronësi të babait të tij, Isa Rizvanolli. Fatos Rizvanolli ka pasur në pronësi edhe biznesin N.T.S H.,,AUTOSHPED”, që tashmë figuron si biznes i shuar.

Express i kishte dërguar të njëjti pyetje dhe përmes SMS-ve për të ditur se nga i nxjerr paratë që paguan për qira, sa e paguan imamin Bedri Robaj dhe shpenzimet e tjera të xhamisë, por i njëjti nuk u është përgjigjur pyetjeve.

BIK thoste Xhamia nuk është e e tyre, e lajmëruam në MPB

Se kjo xhami funksionon për më shumë se një vit jashtë juridiksionit të Bashkësisë Islame të Kosovës e pati konfirmuar për Express edhe Bahri Sejdiu, Kryetar i Këshillit të BIK-ut për Prishtinë.

“Ne këtë xhami, ose ti themi më mirë faltore, e kemi vërejtur ka më shumë se një vit. Pasi që nuk është xhami e jona, as nuk e kemi kontraktuar ne hapësirën dhe as që e kemi caktuar ne imamin, e kemi lajmëruar Ministrinë e Punëve të Brendshme, por tutje nuk dimë se çka kanë bërë”, pati thënë Seijdiu për Express.

Ai pati treguar se nuk kanë marr ndonjë informatë nga institucionet e sigurisë se çka kanë bërë me aneksen e tyre kundër kësaj xhamie. Madje shprehe i befasuar edhe se si kjo xhami vazhdon të funksionoi.

Express pati pritur për ditë të tëra informacion nga organet e sigurisë për këtë xhami, për të njëjta nuk kanë pranuar të flasin. Derisa MPB-ja thotë që për këtë punë duhet pyetur Policinë e Kosovës, Zyra për Informim e kësaj të fundit ka pasur vetëm një koment: “Kur ti kemi përgjigjet do tua dërgojmë”