
Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) ka mbajtur një diskutim publik me temën “Në tension: si ndikon rritja e çmimeve të energjisë në ekonominë e vendit?”, ku u theksua shqetësimi mbi përballueshmërinë e energjisë për qytetarët dhe bizneset në Kosovë.
Xhevat Kastrati nga iniciativa “Kosova Bojkoton” tha se rritja e çmimeve po ndodh në një kohë krize politike dhe ka ndikuar në sjelljen e konsumatorëve dhe bizneseve.
“Është vendim i papërshtatshëm dhe na shqetëson neve si qytetarë, sidomos në një kohë kur po përjetojmë një ngërç politik. Qytetarët kanë filluar të na dërgojnë mesazhe dhe foto që dëshmojnë se çmimi ka filluar të rritet, ndonëse ende nuk ka hyrë ligji në fuqi. Ka edhe biznese që po e keqpërdorin këtë moment. Ka arsye të ndryshme pse disa njerëz nuk po e kuptojnë bojkotin – ideja dhe simbolika nuk po përçohen mirë. Megjithatë, kemi pasur rënie të shitjeve në bojkotin e fundit. Jemi duke shqyrtuar alternativa të tjera dhe po mendojmë të krijojmë një supermarket kolektiv ku çmimet të jenë më të ulëta”, potencoi Kastrati.Drejtori i institutit GAP, Blend Hasaj, theksoi se Kosova varet nga importi dhe se çmimi i energjisë nuk përbën barrë të madhe për shumicën e sektorëve:
“Edhe zhvillimet në treg përbëjnë një shqetësim. Çështja e tarifave nuk mendoj se është trajtuar në mënyrë profesionale. Kosova, si një ekonomi në fund të zinxhirit, ka industri të kufizuara dhe importon pothuajse gjithçka. Nuk jemi në gjendje të prodhojmë as produkte bazike si mollët apo dardhat. Prandaj, ndikimi i parë vjen nga importi. Për shumë biznese, veçanërisht në disa sektorë, çmimi i energjisë nuk përbën më shumë se 5% të kostos operative.” deklaroi Hasaj.
Albulena Kadriu nga Humany Energy nënvizoi rëndësinë e informimit të qytetarëve për përdorimin e sigurt të gazit:
“Plini apo gazi përdoret në sasi të mëdha, veçanërisht në restorante, për shkak të kostos së ulët. Arsyeja pse qytetarët kanë frikë është numri i incidenteve të ndodhura. Kjo frikë vjen si pasojë e mungesës së njohurive për produktet e duhura, pasi sot ekzistojnë edhe boca që nuk shpërthejnë as në prani të flakës së zjarrit”, tha Kadriu.
Analisti Dardan Sejdiu theksoi nevojën për një qasje të balancuar mes ndërhyrjes së shtetit dhe ekonomisë së lirë:“Nga këndvështrimi im, besoj në idenë e një ekonomie ku shteti është aktor dhe pjesëmarrës në ndërtimin e mirëqenies përmes ndërhyrjes së drejtë. Gjithashtu, besoj në konceptin e tregut të lirë. Bizneset që kanë më shumë se 50 punëtorë përballen me sistem të mbyllur energjetik dhe përfundojnë me ligje trefish më të larta. E shoh me shqetësim ndikimin që kjo ka pasur në mënyrën e punës së prodhuesve. Është e rëndësishme të kuptojmë tërë zinxhirin për të parë nëse një biznes ka realisht nevojë për rritje çmimesh”, theksoi ai.