Disa fotografi nga jeta artistike e Faruk Begollit (FOTO)

E publikuar: 24/08/2017 12:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Artistët e vërtetë nuk vdesin kurrë. I tillë është aktori Faruk Begolli pa të cilin sot u bënë 10 vite.

Me talentin e tij ai shkriu role të mëdha për të mbetur kështu një ndër figurat më të ndritura të kinematografisë shqiptare.

Figura e tij prej një djali tërheqës dhe plot sharmë, ka bërë që ai ende të mbetet një ndër figurat më të dashura të artit shqiptar. Shumë nga fotografitë e tij, qoftë ato të ndara nga rolet e tij të shumta, apo fotografi të rastit, janë ende shumë të pëlqyera nga publiku që e deshi fort.

KultPlus, i ka përzgjedhur disa fotografi të Begollit ku ai shfaqet në momente të ndryshe gjatë karrierës së tij, qysh nga rinia e hershme e deri në ditët e fundit.

Faruk Begolli lindi më 14 shkurt të vitit 1944 në Pejë, Kosovë, dhe vdiq më 23 gusht të vitit 2007, ishte një nga aktorët e mirënjohur në ish Jugosllavi duke arritur një famë shumë të madhe në mbarë Ballkanin dhe me gjerë, shkruan kult plus. Ai studioi në Akademinë e Filmit dhe Teatrit në Beograd dhe diplomoi në vitin 1966.

Faruk Begolli ishte gjithashtu një figurë e rëndësishme e Teatrit dhe Kinematografisë Kosovare. Ishte bashkëthemelues i degës së Aktrimi të Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës, ku edhe punoi si pedagog i lëndës së Aktrimit.

Në vitet e 90-ta ai së bashku me Enver Petrovcin themeluan Teatrin “Dodona” në Prishtinë, në këtë Teatër ai angazhonte studentët e tij dhe aktorë të tjerë duke inskenuar shfaqje të ndryshme teatrale. Teatri “Dodona” u bë Teatri më i njohur në Kosovë gjatë këtyre viteve duke vazhduar deri më tani.

Sot, në këtë 10 vjetor të vdekjes së Begollit, Qendra Kinematografike e Kosovës organizon një takim në kujtim të aktorit. Ky takim do të mbahet sonte, në ora 20:00 te Klubi M. “Shpirtin ma keni k’put”, Faruk Begolli 10 vjet”, është slogani i këtij takimi, që shënon edhe dhjetë vjetorin e vdekjes së aktorit. /GazetaExpress/.