Dialogu, “në pushim” për shkak të zgjedhjeve në Serbi

24.01.2016 19:09
Rreshtat+- AShkronjat+- Print
Dialogu, “në pushim” për shkak të zgjedhjeve në Serbi

Zgjedhjet parlamentare, të cilat janë paralajmëruar të mbahen në muajin prill në Serbi, do të ndikojnë drejtpërdrejtë në procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, të paktën në nivelin më të lartë të përfaqësimit, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë.

Ata thonë se dialogu do të pushojë të paktën deri në fund të gjysmës së parë të këtij viti.

Nuk përjashtohet mundësia që ky pushim të jetë edhe më i gjatë, kur gjithë kësaj situate i shtohen edhe problemet në skenën politike në Kosovë, si pasojë e kundërshtimeve që ka opozita lidhur me marrëveshjet e caktuara të arritura në kuadër të këtij dialogu.

Naim Rashiti, analist nga Grupi Ballkanik për Politika, duke folur për Radion Evropa e lirë, vlerëson se takimi i përfolur si i mundshëm ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, dhe kryeministrit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në fund të janarit në Bruksel, në rast se edhe ndodh eventualisht, ai do të jetë i fundit në nivel kryeministrash, për një periudhë disa mujore.

“Sa herë që ka pasur zgjedhje në Serbi, kanë afektuar në masë kritike dialogun. Edhe zgjedhjet lokale kanë afektuar në masë kritike dialogun dhe zbatimin e marrëveshjeve. Por, duke pasur parasysh edhe krizën (politike) në Prishtinë, ka qenë vështirë të pritet ndonjë avancim i theksuar i dialogut në këtë pranverë”.

“Është ende e paqartë nëse do të mbahet takimi i 27 janarit. Besoj që do të vazhdohet në nivelin teknik, të udhëhequr nga zonja Edita Tahiri (ministre për dialog me Serbinë në Qeverinë e Kosovës) dhe Marko Gjuriq (shef i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë). Kështu që, realisht, për dialog të mirëfilltë, avancim të marrëveshjeve, mund të flasim vetëm në qershor apo pas qershorit”, thotë Rashiti.

Mendim të ngjashëm ka edhe njohësi i çështjeve politike, Halil Matoshi. Ai thotë për Radion Evropa e Lirë, se zgjedhjet në Serbi dhe siç e quan ai, kriza politike në Kosovë, tashmë kanë krijuar kushte që dialogu të pushojë, tash për tash.

“Duket që dialogu, megjithatë, do të ‘pauzojë’ për shkak të zgjedhjeve (në Serbi), por edhe për shkak të klimës së krijuar pas dënimit të Oliver Ivanoviqit. Unë mendoj se tash për tash nuk ka kushte që dialogu të vazhdojë. Takim mund të ketë, të ekspertëve, sidomos sa u përket këtyre çështjeve që ne po i quajmë teknike”.

“Mirëpo, në marrëdhëniet midis dy kombeve që praktikisht nuk e njohin ende njëra-tjetrën dhe që kanë dalë nga një konflikt i armatosur, kurrgjë nuk është dialog i nivelit teknik, gjithçka është politik”, vlerëson Matoshi.

Ndryshe, të dy këta analistë vlerësojnë se pushimi i dialogu,t si pasojë e zgjedhjeve në Serbi, por edhe krizës politike më Kosovë, do të ketë edhe efekte tjera.

Analisti Rashiti vlerëson se ekziston hapësirë për bisedime për zbatimin e marrëveshjeve teknike, por, sipas tij, përvoja e deritashme ka treguar se Serbia nuk e bën këtë kur është në prag të zgjedhjeve.

“Serbia gjithmonë e përdor procesin e zgjedhjeve për të pushuar dhe distancuar nga zbatimi i marrëveshjeve, pavarësisht faktit se Kapitulli 35 kërkon që Serbia të fillojë me planifikimin për mos buxhetimin e institucioneve paralele”.

“Por, BE-ja këtë proces e sheh në pako me krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Në këtë situatë dhe kontekst politik nuk shoh që puna për statutin e Asociacionit apo zbatimin e kësaj marrëveshjeje, mund të vazhdojë brenda disa muajsh”, shton Rashiti.

Ndërkaq, analisti Matoshi vlerëson se edhe pas zgjedhjeve në Serbi, ambienti për zhvillimin e dialogut në Bruksel do të jetë i dëmtuar, për shkak të situatës, në të cilën gjendet Qeveria e Kosovës dhe komplikimeve tjera.

“Në Prishtinë, megjithatë, gjërat duket se po vështirësohen për Qeverinë e Kosovës, jo vetëm për shkak të presionit të opozitës, por edhe për shkak të komplikimeve nga ana e Gjykatës Kushtetuese me parimet e përgjithshme për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.

“Gjithashtu, edhe retorikat fashiste, sidomos të Ivica Daçiqit (ministër i Jashtëm i Serbisë) e kanë bindur jo vetëm opozitën, por edhe një pjesë të mirë të pushtetit në Kosovë, që ky dialog është shumë i zorshëm me një Serbi, e cila duket se nuk po i ndryshon retorikat e saj kundër Kosovës”,thekson Matoshi.

Të dy këta analistë, nuk presin që para zgjedhjeve në Serbi, kryeministri aktual serb, Vuçiq, të përdorë retorikë kundër dialogut me Kosovën, për shkak të orientimit pro evropian që ka partia e tij, Partia Progresiste Serbe, e cila llogarit në mbështetjen e vendeve evropiane, transmeton rel.

Por, sipas tyre, retorikë, në të cilën Kosova do të përdoret si ‘adut’ për përfitim votash, do të ketë nga lideri i Partisë Socialiste të Serbisë, Ivica Daçiq, të cilit, sipas analistëve, i ka rënë popullariteti në vendin e tij.

Sqarim: Ndalohen fyerjet dhe përdorimi i gjuhës ofenduese. INFOSOT mban të drejtën e publikimit ose jo të një komenti të caktuar. Përmbajtja e komenteve nuk pasqyron, qëndrim editorial të redaksisë së portalit INFOSOT. Ju faleminderit për mirëkuptimin!
© infosot.com


Parlamenti Evropian me mesazh për Kosovën: Përshpejtoni reformat që lidhen me BE-në

Parlamenti Evropian me mesazh për Kosovën: Përshpejtoni reformat që lidhen me BE-në

Trump e quan udhëtimin e G7-ës “sukses të madh”

Trump e quan udhëtimin e G7-ës “sukses të madh”

PE miraton raportin për Shqipërinë, Rama: Rezultati ndan dezinformimin digjital nga realiteti i projektit Vjosë- Nartë

PE miraton raportin për Shqipërinë, Rama: Rezultati ndan dezinformimin digjital nga realiteti i projektit Vjosë- Nartë

Halil Kastrati paralajmëron qytetarët: Po keqpërdoret identiteti im për mashtrime financiare

Halil Kastrati paralajmëron qytetarët: Po keqpërdoret identiteti im për mashtrime financiare

LVV falënderon mërgatën për mbështetjen në zgjedhjet e 7 qershorit: Morëm mbi 75 për qind të votave

LVV falënderon mërgatën për mbështetjen në zgjedhjet e 7 qershorit: Morëm mbi 75 për qind të votave

Dy persona gjobiten me nga 200 euro për hedhje të mbeturinave në vende të papërshtatshme në Ferizaj

Dy persona gjobiten me nga 200 euro për hedhje të mbeturinave në vende të papërshtatshme në Ferizaj

CNN publikon draft-marrëveshjen mes SHBA dhe Iranit

CNN publikon draft-marrëveshjen mes SHBA dhe Iranit

Rama: Kryeqyteti po ecën drejt transportit modern me autobusë elektrikë dhe tramvaj

Rama: Kryeqyteti po ecën drejt transportit modern me autobusë elektrikë dhe tramvaj

Hoti: Kosova po rrezikon të humbasë projekte energjetike dhe investime strategjike

Hoti: Kosova po rrezikon të humbasë projekte energjetike dhe investime strategjike

Kalon me shumicë votash raporti i Terras për Kosovën në Parlament Evropian

Kalon me shumicë votash raporti i Terras për Kosovën në Parlament Evropian

Përfaqësuesi i BERZh-it: Qeveria duhet të dërgojë sinjal të qartë për investimet në energjinë e ripërtëritshme

Përfaqësuesi i BERZh-it: Qeveria duhet të dërgojë sinjal të qartë për investimet në energjinë e ripërtëritshme

Kurti pret në takim lamtumirës shefin e EULEX-it, Barbano

Kurti pret në takim lamtumirës shefin e EULEX-it, Barbano

“Po na ndajnë në ne dhe ata” – Tahiri kritikon qasjen politike të Kurtit

“Po na ndajnë në ne dhe ata” – Tahiri kritikon qasjen politike të Kurtit

Shefi i NATO-s: Lajm i mirë që po zvogëlojmë praninë e trupave në Kosovë

Shefi i NATO-s: Lajm i mirë që po zvogëlojmë praninë e trupave në Kosovë

Bllokada në Kuvend rrezikon humbjen e rreth 60 milionë eurove nga Plani i Rritjes i BE-së

Bllokada në Kuvend rrezikon humbjen e rreth 60 milionë eurove nga Plani i Rritjes i BE-së

“53, 22, 18, 7” – Cakolli: Ndarja e mandateve në Kuvend, pothuajse çështje e kryer

“53, 22, 18, 7” – Cakolli: Ndarja e mandateve në Kuvend, pothuajse çështje e kryer