Dhurata Hoxha dhe Shaip Havolli ftohen në Komisionin për Legjislacion

E publikuar: 06/12/2016 11:32
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, dhe kreu i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Shaip Havolli, për nesër janë thirrur në një dëgjim publik të Komisionit parlamentar për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit.

Kjo është bërë e ditur nga Kuvendi i Kosovës, përmes një njoftimi dërguar mediave.

“Të mërkurën, më 07 dhjetor, Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, do të mbajë dëgjim publik me temën: Arritjet, sfidat dhe avancimi në luftën kundër korrupsionit. Të ftuar në këtë takim do të jenë: Ministrja e Drejtësisë, znj. Dhurata Hoxha dhe Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, z. Shaip Havolli”, thotë njoftimi, përcjell Gazeta Express.

Takimi është thirrur për në orën 13:00.

Ndryshe, ministrja Hoxha ka qenë e ftuar më parë në këtë komision për të raportuar, por edhe në atë për Integrime Europiane, javën që shkoi, por nuk është paraqitur në to. /GazetaExpress/.