Deputetja shqiptare në Kroaci: Modeli kroat mund të zbatohet në Kosovë, por duhet modifikim

E publikuar: 21/05/2023 13:42
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Modeli kroat për pakicat kombëtare nuk do të ishte i dëmshëm për Kosovën, thotë deputetja shqiptare në Kroaci, Ermina Lekaj-Përlaskaj.

Sipas saj, në bazë të këtij modeli, vetëmenaxhimi për serbët në Kosovë do të kishte një nivel më të lartë të vetëqeverisjes, por assesi me kompetenca ekzekutive apo një autonomi territoriale, pasi ky mekanizëm në Kroaci referencë e ka Kushtetutën dhe ligjet e Kroacisë, përfshirë dokumentet dhe simbolet. Megjithatë, Lekaj-Përlaskaj thekson se modeli kroat, implikon ligj kushtetues për pakicat, derisa me disa modifikime do të gjente lehtësisht zbatueshmëri edhe në Kosovë.

Deputetja shqiptare në Kroaci, Lekaj-Përlaskaj deklaron për KosovaPress se edhe qëndrimi i institucioneve kroate për propozimin e kryeministrit Albin Kurti, që modeli kroat për pakicat të merret si shembull edhe në Kosovë është pozitiv.

Deputetja Lekaj-Përlaskaj tregon për KosovaPress edhe mënyrën e funksionimit të komunitetit serb në Kroaci dhe kompetencat e këtij “Asociacioni”.

“(Ky model) Mund të zbatohet, por prapë shkoj në atë drejtim që ndoshta duhet ndonjë modifikim që t’i përshtatet situatës në Kosovë, por jo me u largu nga baza apo themeli siç e ka në propozim shteti kroat”, deklaron deputetja Lekaj-Përlaskaj.

Ndryshe, kryeministri Albin Kurti ka paraqitur draft-vizionin e Asociacionit gjatë takimit që ka zhvilluar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 2 maj në Bruksel. Draft-vizioni ka ardhur si përgjigje ndaj një draft-statuti për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin kryeministri Kurti e ka refuzuar, duke thënë se nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.