Delawie i përgjigjet Haradinajt për përfshirjen e SHBA-së në dialogun me Serbinë

E publikuar: 06/12/2017 00:26
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kërkesa e kryeministrit Ramush Haradinaj për përfshirje më të madhe të SHBA-së në dialog me Serbinë duket se nuk po merr dritën e gjelbër.

Ambasadori amerikan, Greg Delawie në një intervistë ekskluzive për Rubikon të KTV-së ka thënë se shteti amerikan do të vazhdojë të jetë i përfshirë në dialog dhe se e mbështesin atë.

“Shtetet e Bashkuara e kanë mbështetur dialogun prej fillimit, do të vazhdojmë ta bëjmë të njëjtën gjë tash dhe në të ardhmen… Nuk kam asgjë për të lajmëruar. Tash për tash po përpiqemi të punojmë me ekipin e BE-së, ekipin e Federica Mogherinit, për të parë se si mund të kontribuojmë sa më mirë për suksesin e dialogut që lehtësohet nga BE-ja. Do të vazhdojmë ta bëjmë të njëjtën gjë dhe do të ndryshojmë [mënyrën] sipas nevojës, sipas rrethanave”, ka thënë ai.

“Përgjigja është se do të vazhdojmë të jemi të përfshirë dhe se e mbështesim dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, shtoi tutje Delawie.

Sipas tij, dialogu i ka sjellë Kosovës përfitime të rëndësishme.

“Në veri të Kosovës, policia e Kosovës është përgjegjëse për zbatimin e ligjit dhe ata punojnë për shtabin e përgjithshëm të policisë që është në Prishtinë. Sa i përket menaxhimit të kufirit: tarifat doganore për mallrat që hyjnë nga Serbia në Kosovë mbledhen dhe sipas marrëveshjes në dialog, paratë e mbledhura nga tarifat doganore përdoren për mbështetjen e projekteve, shumica në veri. Është një komision që merret me këto gjëra. Natyrisht, ka shumë gjëra që ende janë pezull, por dialogu i ka sjellë Kosovës përfitime të rëndësishme dhe shpresoj që do të vazhdojë të bëjë të njëjtën gjë”, bëri të ditur Delawie.