Presidenti i Partive Popullore Evropiane (PPE), Joseph Daul në përfundim të vizitës së tij dyditore në Kosovë, ka thënë se ka besim te rinia kosovare dhe saiç ka thënë ai “kryeministri i ardhshëm Avdullah Hoti, i cili ka vlera evropiane për ta zhvilluar Kosovën dhe për ta çrrënjosur korrupsionin”.
“Kam shumë besim se kandidati për kryeministër z. Hoti së bashku me LDK-në do ta çojë Kosovën përpara. Ai ka kapacitet për të garantuar një sistem të drejtësisë të pavarur, për t’i dhënë fund korrupsionit, për të punuar për një shtet të së drejtës, sepse vendi ka nevojë për t’i tërhequr investimet, për të hapur vende pune dhe për të zhvilluar ekonominë”, ka thënë Daul.
“Kosova ka nevojë për këto gjenerata të reja dhe unë kam besim tek ata. I takova të rinjtë dhe gratë e LDK-së, ku pashë se janë në gjendje ta çojnë Kosovën përpara. Këtë e pashë edhe në takimet me OJQ-të dhe shoqërinë civile”, ka thënë Presidenti i PPE-së, grupimit më të madh politik në Evropë.

















