Në kohën kur qytetarët e Kosovës, sidomos ata të punësuar në sektorin privat, vazhdojnë të kenë paga të ulëta, çmimet e artikujve, sidomos të atyre ushqimorë, u rritën në mënyrë drastike.
Sipas të dhënave të Bashkimit të Sindikatave të Punëtorëve të Kosovës, paga e punëtorit në sektorin privat është 120 euro më e ulët se ajo në sektorin publik. Për më tepër, ajo nuk pësoi rritje fare pothuajse në tre vjetët e fundit, raporton KTV.
Kjo ka bërë që të mos përcillet trendi i inflacionit dhe çmimeve të artikujve, duke e varfëruar xhepin e qytetarëve të vendit.
Të dhënat e çmimeve të konsumit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës që nga viti 2005 deri në vitin 2014 flasin për një rritje prej 30.03% të të gjithë artikujve.
Artikujt elementarë, si buka dhe drithërat, janë ndër produktet të cilat pësuan më së shumti rritje.
Që nga viti 2005 deri më 2014 çmimet e bukës dhe të drithërave u ngritën për 76.8 %.
Rritje pati edhe te produktet e vajit dhe yndyrave, të cilët për këto 9 vjet patën një rritje prej 51%.
Çmimet e mishit u rritën për 40%, ndërsa produktet e qumështit, djathit dhe vezëve u rritën deri në 27.5%.
Kafja dhe çaji ishin produktet e radhës, të cilat gjithashtu për këto vite pësuan rritje deri në 54.3%.
E pa rritje të çmimeve nuk shpëtuan as pemët dhe perimet. Derisa pemët sipas të dhënave statistike për këto 9 vjet pësuan një rritje prej 61.7%, çmimet e perimeve u rritën vetëm për 28.3%.
Varfërimit të xhepit të qytetarëve të Kosovës gjatë tërë këtyre viteve i kontribuuan edhe ngritjet e çmimeve të ujit, rrymës, gazit dhe lëndëve djegëse të tjera. Që nga viti 2005 deri më 2014 çmimet e tyre u rritën për 28%.
Çmimet e ujit janë ato të cilat pësuan një rritje mbi 70%, përderisa rryma, gazi dhe lëndët e tjera djegëse u rritën për 25.9%.
Ngritja u vërejt edhe te shëndetësia, mjetet e komunikimit dhe ato të transportit.
Për shërbimet e ofruara ambulatore qytetarët tani paguajnë 9.4% më shumë se në vitin 2005. Për ato postare çmimet u rritën për 22.7%, ndërsa të transportit 23.9%, transmeton Koha.net.
Në gjithë këto vite qytetarët u përballën edhe me rritjen e shërbimeve financiare me një shifër prej 35.5%.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.


















