Çka do të thotë për sistemin elektroenergjetik të Kosovës rinovimi i turbinave në Kosovën B

E publikuar: 11/04/2023 08:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Rinovimi i turbinave të termocentraleve Kosova B, një punë e që domosdoshmërisht duhej të bëhej që para shpërfaqjes së krizës energjetike edhe në vendin tonë, më në fund do të nis vitin e ardhshëm. Korporata Energjetike e Kosovës (KEK-u) ka nënshkruar të premtën (më 7 prill 2023) marrëveshje me kompaninë amerikane General Electric, për modernizimin e turbinave të dy njësive të TC Kosova B.

Kostoja e gjithë punës rreth rinovimit të turbinave të dy blloqeve të Kosovës B (B1 dhe B2) do të jetë 56.2 milionë euro, dhe këto para që nuk janë të pakta, do t’i sigurojë Kosova, por do të shpaguhen gjithsesi, meqenëse ripërtritja e modernizimi i turbinave do të thotë zgjatje e viteve të punës termocentraleve të stërvjetruara kosovare, më shumë enerrgji dhe prodhim më konstant pa frikën për defekte të pritshme të shpeshta teknike.

Sipas inxhinierëve të KEK-ut, rinovimi i turbinave të Kosovës B do të rrisë kapacitetin e prodhimit për 14-17 megavatë orë për njësi, pa emetime shtesë dhe ndikim negativ në ambient, si dhe do të zgjasë edhe për disa vjet jetëgjatësinë e përdorimit të turbinave. Ky rinovim, sado që i vonuar ishte i domosdoshëm në këto kohë kur Kosovës i mungojnë ndjeshëm kapacitetet prodhuese të energjisë elektrike (edhe ato në bazë të qymyrit, edhe ato të energjisë së rinovueshme), kur kapacitet ekzistuese në bazë të thëngjillit të cilin Kosova e ka me bollëk dhe thuaja në sipërfaqe të tokës, janë të stërvjetruara dhe kur deshëm s’deshëm të pranohet prodhimi i energjisë elektrike nga qymyri, në një farë mënyre, tash e një kohë, është i proklamuar thuaja si “i ndaluar” dhe i sanksionuar nga bota energjetike ndërkombëtare. Kosova u hamend mbi 20 vjet për ta ndërtuar një termocentral të ri në bazë të thëngjillit dhe nuk qe në gjendje ta ndërtojë këtë termocentral në vitet kur ende qymyri nuk ishte shpall “tabu’ dhe nuk ishte përjashtuar si burim energjetik. Tani, po shihet se jemi vonuar dhe pasojat e kësaj vonese janë të pariparueshme. Prandaj, riparimi dhe modernizimi i kapaciteteteve ekzistuese të prodhimit të rrymës, që nuk mund të vlerësohen si ndërtime të reja, kanë mbetur alternativë e domosdoshme për Kosovën, për të siguruar edhe 15-20 vjet një sasi goxha të madhe të rrymës për konsumin e shtuar vetanak.

Në këtë mënyrë, kushodo, si të dojë ta vlerësojë marrëveshjen e këtoditshme për rinovimin e turbinave të Kosovës B, kjo punë ishte e kushtëzuar, e domosdoshme dhe Kosova hë për hë nuk kishte zgjidhje tjetër më të mirë. Sepse, po vonohen shumë nisja e ndërtimit të kapaciteteve të reja të prodhimit të energjisë së rinovueshme, të cilat edhe po të ishin sot të gatshme, nuk do të mjaftonin as përafërsisht për përmbushjen e nevojave të konsumit të Kosovës. Sido që të jetë në Kosovë është mirëpritur ky investim, sidomos nga komuniteti energjetik. Sepse, siç tha edhe drejtori ekzekutiv i KEK-ut, Nagip Krasniqi, “gjendja aktuale e blloqeve është kritike dhe kërkon vëmendje dhe angazhim të menjëhershëm.

“Ky investim do të na lejojë të vazhdojmë me kërkesën në rritje për energji elektrike duke siguruar që termocentralet tona të mbeten efikase dhe të besueshme. Me këtë projekt modernizimi ne po prezantojmë avancimin më të fundit teknologjik në inxhinierinë e termocentraleve për të rritur efikasitetin dhe produktivitetin”, ka thënë Krasniqi.

Sipas tij, me këtë projekt modernizimi do të prezantojnë avancimin më të fundit teknologjik. “Kjo përpjekje modernizimi do të sigurojë që termocentralet tona të funksionojnë me efikasitet optimal, prodhim më të besueshëm të energjisë elektrike dhe me kosto më efektive. Ky investim madhor do të rrisë kapacitetin e prodhimit për 14 deri në 16 megavate dhe do të zgjasë jetën e dobishme të turbinave për 20 vjet të tjerë dhe do të zgjasë ciklin e jetës së riparimeve të kapitalit nga çdo pesë vjet sa është tani, në çdo tetë deri në nëntë vjet në të ardhmen”, ka theksuar ai.

Për rëndësinë e modernizimit të këtyre turbinave, u deklarua edhe kryeministri Albin Kurti, i cili nënshkrimin e kësaj marrëveshje, e cilësoi si një nga ngjarjet më të rëndësishme në sektorin e energjisë. Sipas tij, “rëndësia e këtij modernizimi nuk mund të theksohet mjaftueshëm. Kapaciteti i njësive do të rritet nga 14 deri në 17 megavat për secilin bllok. Pas rekonstruktimit që do të bëhen në Turbinën e Presionit të Lartë dhe atij të Ulët nuk do të kemi nevojë për riparime të shpeshta kapitale; ato do të jenë të nevojshme vetëm çdo 8 apo 9 vite”, deklaroi Kryeministri.

“Ka shumë kuptim që sot jemi këtu, bashkë e pranë kompanisë General Electric. E njëjta kompani që e kishte dizajnuar teknologjinë e termocentraleve zona në 1983 dhe 84, dhe tash do të bëjë modernizimin e Kosova B, për të siguruar që do të Kosova B do të vazhdojë e fortë edhe për dekadat në vijim”, tha Kurti. “Ky investim do të rrisë kapacitetin e prodhimit për 30 MËdhe jetëgjatësinë e TC Kosova B, pa rritur emetimin e gazrave ndotës dhe nevojën për remonte të shpeshta. Më shumë prodhim, do të thotë më shumë pavarësi energjetike dhe më pak varësi ndaj importeve, më shumë siguri të furnizimit me rrymë dhe më pak shpenzime të buxhetit të shtetit”, theksoi në një postim të mëvonshëm Kurti.

Në njoftimin për ‘dhënie të kontratës’ , siç kanë njoftuar mediet, nuk është përcaktuar se sa kohë do të zgjasin punimet. Vlera e parashikuar e kontratës nga ana e KEK-ut ka qenë 55,100,000.00 euro, por kompania e involvuar në negocim nuk e ka pranuar këtë shumë, andaj KEK-u duket se ka qenë e detyruar që të rrisë vlerën aq sa ka thënë kompania e cila ka qenë e vetme në konkurrencë. Palët janë marrë vesh për një çmim prej 56,522,000.00 euro. Pra, rreth 1.4 milion euro më shumë se parashikimi i Korporatës.

Sipas përshkrimit të lëndës së kontratës punët që do të kryhen do të jenë: Modernizimi i turbinave përfshin komplet rekonstruktimin e turbinës se presionit të lartë (TPL) dhe turbinës së presionit të ulët (TPU) ndërsa turbina e presionit të mesëm (TPM) do t’i nënshtrohet riparimit të zakonshëm kapital të saj. KEK-u në vazhdimësi ka probleme me turbinat e termocentraleve dhe çdo herë në riparime kontraktohet me negocim kompania e lartpërmendur. Divizioni i Termocentralit “Kosova B” përbëhet nga dy njësi gjeneruese të njohura si njësia B1 dhe B2. Projekti dhe dizajni i këtij termocentrali është bërë nga një kompani evropiane që në atë kohë quhej “STEIN INDUSTRIE”. Pajisjet kryesore të këtij termocentrali janë të prodhuara po ashtu nga kompani të njohura evropiane, p.sh: Turbogjeneratori (Turbina) nga kompania “MAN” që më pas është transferuar në ALSTOM GmBH. – Gjeneratori elektrik nga kompania ALSTOM POËER SERVICE nga Franca.– Sistemi i kontrollit dhe komandës (DCS – P320) është nga kompania ALSTOM POËER SERVICE nga Franca. Dy operatorëve ekonomik GE Poëer dhe Alstom Poëer Services edhe pse janë entitete të ndara, realisht janë kompani të lidhura pasi GE Poëer ka në pronësi kompaninë Alstom Power Services. Sipas kontratës, punimet për modernizimin e turbinës B2 do të fillojnë në maj të 2024 dhe do të zgjasin deri në qershor. Ato do të kushtojnë 26.1 milionë. Ndërsa punët në njësinë B1 do të fillojnë në maj deri në qershor të 2025 dhe do të kushtojnë mbi 30.3 milionë euro./Buletini Ekonomik/