
Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku tha se situata e krijuar sot pas paralajmërimit për bombë në Kuvendin e Kosovës shpërfaqi dëmtimin e skajshëm të mekanizmave të sektorit të sigurisë.
Çitaku tha se Kuvendi i Kosovës nuk është hotel e as restorant ku hyjnë e dalin njerëzit pa asnjë kontroll. Siç tha ajo Kuvendi i Kosovës është institucioni më i lartë shtetëror.
Ajo i bëri thirrje kryeministrit në detyrë, Albin Kurti që të reflektojë, pasi sipas saj Kosova është më e madhe sesa ai.
“Sot të gjithë ishim dëshmitarë të një situate që shkaktoi panik. E cila në të njëjtën kohë shpërfaqi dëmtimin e skajshëm të mekanizmave të sektorit të sigurisë në këtë vend nga qeveria e më parshme Kurti. Si është e mundur që një telefonatë anonime ta detyrojë Kuvendin e Republikës së Kosovës ta braktisë seancën. 120 deputetë të largohen nga salla pa asnjë lloj verifikimi dhe vlerësimi…Ky është institucioni më i lartë i vendit. Nuk është as hotel, as restorant ku hyjnë e dalin njerëzit pa asnjë lloj kontrolle. Si është e mudnur që institucioni më i lartë në vend është turpëruar. Përtej turpit, shkaktuam frikë e panikë anë e kënd. I bëjmë thirrje deputetit Albin Kurtit që të reflektojë, Kosova është më e madhe se ai. Ne nuk do të lejojmë të përbaltet e të rrënohet diçka që bashkërisht e kemi ndërtuar me shumë mund të sakrificë”, tha Çitaku.
Këtë deklarim Çitaku e bëri pas dështimit të 42-të të seancës konstituive, me ç’rast disa nga deputetët e ish-opozitës qëndruan ende në sallë./Z.Zeneli